Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka qëndruar rreth 30 minuta në ambientet e SPAK, këtë të mërkurë, para prokurorëve të Posaçëm, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
SPAK i ka komunikuar Sali Berishës akuzën “korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim”. Dosja e SPAK në ngarkim të Berishës do t’i paraqitet Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO).
Ish-kryeministri Berisha, prej 30 dhjetorit 2023 ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Berisha akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv Partizani, mbi të cilin u ndërtuan 19 kulla.
Nga ana tjetër, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove, sipas dosjes hetimore, në mënyrë të parregullt.