Zvicra dërgon në “ferr” Serbinë, Shaqiri u “servir” eliminimin, Helvetët kualifikohen falë grintës

Natë magjike për Zvicrën dhe jo vetëm. Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka me shokë dhuruan emocione sonte në Kupën e Botës, duke mundur 3-2 Serbinë dhe duke u kualifikuar.

Kombëtarja serbe e mbyll në mënyrën më të keqe rrugëtimin në Katar, me një disfatë ndaj një rivali jo vetëm në fushë, por edhe më gjerë.

Xherdan Shaqiri do tregonte klasin e tij në minutën e 20-të. Lojtari shqiptar por me pashaportë zvicerane do realizonte në portën serbe, duke dërguar në festë tifozerinë.

Ekipi i Stojkoviç do përfitonte nga një përgjumje e Helvetëve në pjesën e parë për të përmbysur shifrat. Fillimisht Mitroviç vendosi ekuilibrat, ndërsa për përmbysjen mendoi Vlahoviç.

Të besuarit e Murat Yakin do bënin çmos që të shkonin në dhomat e zhveshjes të paktën me barazim dhe do përmbushnin këtë mision pas  golit të Embolo.

Zvicra mori epërsinë në fillimin e pjesës së dytë me Freuler. Me qetësinë që i karakterizon rezultati do mbrohej, për të marrë kështu një kualifikim të merituar, 6 pikë në vendin e dytë. Zvicra do të përballet në fazën tjetër me Portugalinë.

PERPLASJA

Nuk kanë munguar tensionet gjatë gjithë sfidës mes Zvicrës dhe Serbisë. Në fundin e takimit një sherr masiv ndodhi në fushë, në takimin që po luhet në Katar.

Pas disa sekondash momente jo shumë të këndshme, ka ndërhyrë arbitri për të qetësuar situatën. Ashtu siç pritej, edhe këtë herë nuk kanë munguar situatat e tilla, të cilat nuk i shkojnë aspak përshtat futbollit. Protagonist ishte shqiptari Granit Xhaka.

Serbët nuk harrojnë të provokojnë Xhakën, gjesti i mesfushorit shqiptar i thotë të gjitha

Momente tensioni u regjistruan në minutën e 64-t, në duelin mes Serbisë dhe Zvicrës. Mitroviç pretendoi për një penallti, ndërkohë që protesta të ashpra erdhën nga stoli serb, teksa gjyqtari e konsideroi gjithçka të rregullt.

Loja u ndërpre për disa momente, ndërkohë që thuajse i gjithë stoli i Serbisë, hyri në fushë. Nuk munguan as provokimet ndaj Granit Xhakës, i cili nuk e kurseu kundërpërgjigjen, duke iu treguar organin gjenital, atyre që e provokuan. Pas disa minutash ndërprerje loja rifilloi normalisht.