Një zjarr masiv ka rënë në orën 3:25 të mëngjesit në një ndërtesë në qendër të qytetit të Shkodrës, në afërsi të teatrit “Migjeni” duke shkrumbuar pjesërisht një ndërtesë.
Zjarri është ngjitur deri sipër duke shkaktuar panik në zonë, ndërsa zjarrfikësit në vendngjarje luftojnë me flakët.
Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person të lënduar. Këto janë pamjet e momenteve kur zjarri përfshiu ndërtesën të siguruara për “BalkanWeb” nga gazetari Senad Nikshiqi.
Tre lokale janë djegur totalisht. Sipas hetimeve paraprake dhe dëshmitarëve në vendngjarje është dëgjuar një shpërthim që ata dyshojnë se mund të ketë ardhur nga njëri prej lokaleve dhe më pas zjarri është përhapur duke bërë që të digjet edhe vaji i ashensorit të lokalit që shërbente vetëm për lokalin në katin e fundit të pallatit duke shkrumbuar më pas gjithçka.