Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaroi sot se ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë do të referohen në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët.
Hoxha tha se flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi.
“Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht. Pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese; heqja me dhunë e të drejtës së fjalës; goditja për shkak të detyrës, rrezikimi i jetës së deputetëve duke i goditur me mjete të forta, shkatërrimi me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi”, tha ministri.
Ai theksoi se në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit.
Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese.
Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët”, theksoi Hoxha.