Zhdukja e mistershme e Ervis Martinajt, RENEA “zbarkon” në Shijak, kontrolle për ta gjetur


Forcat RENEA kanë zhvilluar një aksion kontrolli në Shijak për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili është zhdukur  në mënyrë të mistershme prej disa kohësh.

Sipas News24 kontrollet janë zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga RENEA.

Familjarët denoncuan zhdukjen e Martinajt në datë 9 gusht teksa ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.

Emri i tij doli në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani i cili tha se kishte marrë një porosi me faturë 500 mijë euro për të eliminuar Endrit Doklen.

Policia ka marrë në pyetje kundërshtarët e tij në fushën e biznesit dhe kriminalitetit por një pistë e mundshme që po hetohet është edhe ajo e inskenimit nga vetë i shumëkërkuari.

Ai është shfaqur për herë të fundit në kamerat e sigurisë së një hoteli në qytetin bregdetar të Durrësit pak ditë para zhdukjes. Në kamerat e sigurisë, Martinaj duket në shoqërinë e një vajze të njohur të showbizz-it dhe shoferit të tij, agjentit të Operacionales Jeton Lami që sot qëndron pas hekurave.

Emri i Martinajt është bërë shpesh temë diskutimi dhe akuzash apo kundërakuzash mes opozitës dhe maxhorancës.

Për fatin e tij ka folur edhe kryeministri Edi Rama i cili i ka vënë ultimatum policisë për zbardhjen e fatit të tij. Nga ana tjetër ish-kryeministri Berisha ka drejtuar gishtin nga vetë Rama duke qenë se pas zhdukjes së tij qeveria ka në tryezë opsionin e hapjes së basteve.

Sipas Berishës kjo lëvizje vjen në një kohë kur Martinaj i cili cilësohej si mbret i lojërave të fatit është zhdukur, ndërsa ka deklaruar se si person i përfolur për marrë drejtimin e këtij aktiviteti sot është pikërisht vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.