Zbulimi i varrezës masive në Serbi, ministrja e Jashtme: Vuçiç nuk do lejohet të hyjë në Kosovë!


Për sa kohë që presidenti serb Aleksander Vuçiç vijon me gjuhën e urrejtjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve, nuk do të lejohet që të futet në Kosovë.

Kështu është shprehur ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla, në një intervistë me gazetaren e ABC, Linda Karadaku ndërsa diskutohej çështja e zbulimit të një varreze masive në Serbi.

Gjatë bisedës me gazetaren, ministrja kosovare u shpreh se nuk beson se Serbia është në kushtet ku mund të refuzojnë vizitën e palës kosovare në zonat ku dihet se ka varre masive.

Ajo deklaroi se ftesa nga pala shqiptare për vizitë në Kishevak është bërë, por nuk ka ende një përgjigje.

“Ne kemi një marrëveshje, të shkëmbimit të vizitave, që është marrëveshja e Brukselit. Dhe aty përcaktohet procedura sesi të veprohet në raste të vizitave të nivelit të ministrave. Nëse për 72 orë nuk ka një përgjigje, merret si miratim. Tani po presim. Nuk besoj që e kanë luksin që të na refuzojnë në këtë kohë kur duhet të ndihen të turpëruar dhe duhet të kërkojnë falje.”

Haradinaj-Stublla konfirmoi se pas dy orësh që u bë kërkesa për vizitë, ministrisë së Jashtme i kanë ardhur kërkesa për vizitë në Kosovë nga presidenti serb Aleksander Vucic, nga ish drejtori i “Zyra për Kosovën”, Petar Petkoviç, ministri i Punëve të Brendshme, Aleksander Vulin, dhe Marko Gjuriç.

“Është e turpshme loja që e luajnë. Ata nuk mund të vinë në Kosovë dhe sa jam unë ministre kjo do të jetë qasja. Ata mendojnë se mund të nëpërkëmbin shtetin e Kosovës por kjo nuk do të ndodhë. Vuçiç, me atë gjuhë që përdor, me gjithë, nxitjet e dhunës dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve..duke përkrahur një politikë të pandëshkueshmërisë së krimeve që kanë bërë në Kosovë, asnjë herë nuk do të vijë në Kosovë.”

Kujtojmë se Kërkesa e presidentit serb për vizitë në Kosovë vjen pas zbulimit të një varreze masive në Serbi ku dyshohet se janë trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga regjimi i Sllobodan Millosheviç gjatë luftës.