Zbardhet debati me dyer të mbyllura me Nokën e Bylykbashin në Grupin e PD, Basha: Qëllimi im është vetëm rrëzimi i Edi Ramës

MARIGLEN KUME

Një postim i nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, në rrjetet sociale për ndryshimet kushtetuese që kërkon maxhoranca për zgjatjen e mandatit të vetingut, ka shkaktuar debate në mbledhjen e Kryesisë së Grupit të PD-së. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dje kryesinë e vogël të PD-së për të diskutuar mbi strategjinë e saj në komisione dhe më pas u përfshinë në debat për çështjen e ndryshimeve kushtetuese. 

Kryedemokrati Basha ka pyetur Bylykbashin nëse kishte informacion konkret për pazar mes PD e PD për ndryshimet kushtetuese dhe reformat e tjera. Nga ana tjetër, Bylykbashi ka shpjeguar se kishte bërë një bisedë me kryetarin e Grupit të PD-së, Alfred Rrushaj, ku ky i fundit i kishte thënë se ka kërkesa që të mbështetet zgjatja e mandatit të organeve të vetingut.

Ndërkohë, i kërkoi Bashës që të mos krijojnë opinione vetëm mbi titujt mbi statusin e tij, por të lexojnë statusin e plotë dhe se sipas Bylykbashit nuk flitej për pazar. Pas kësaj ka ndërhyrë sekretari i PD-së, Gazment Bardhi, i cili e ka akuzuar se për pazar fliste edhe brendia e statusit. Por ka qenë Basha, ai i cili ka porositur që të tregohen të kujdesshëm në atë që përçojnë publikisht, pasi situata është delikate. Debati vijoi për gati dy orë.

DEBATI I PLOTË 

Lulzim Basha: Anëtarët edhe drejtuesit e komisioneve parlamentare duhet që të mblidhen dhe të diskutojnë me njëri-tjetrin mbi planin e punës, argumentet që do të përdorin në komisione.

Oerd Bylykbashi: Ne kemi ndjekur tjetër mënyrë funksionimi më përpara dhe kjo ka funksionuar shumë mirë. Të mblidhemi për çdo gjë e bën partinë burokratike dhe kjo nuk është e nevojshme.

Flamur Noka: Këto janë proceduar burokratike. Por ti duhet të dish që nuk mund të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ti, zotëri, e di shumë mirë që e ke të gjitha partinë kundër. Ti je në pazar me Edi Ramën.

Lulzim Basha: Prioriteti im është vetëm një; Largimi një orë e më parë i qeverisë Rama dhe ardhja e PD-së në pushtet. Ndërsa rruga për ta arritur aty kalon përmes plotësimit të detyrave që unë ju kam ngarkuar dhe që nuk i keni kryer: për të sjellë në konsultim me deputetët propozimet për prioritetet politike në raport me aktivitetin parlamentar dhe reformat zgjedhore dhe territoriale. Ndërkohë, kam një pyetje të drejtpërdrejtë për ty Oerd. Ke pasur ti ndonjë kontakt apo informacion të drejtpërdrejtë apo indirekt nga Partia Socialiste për pazar për shtyrjen e afateve të vetingut?

Oerd Bylykbashi: Jo, unë nuk kam pasur asnjë kontaktim nga Partia Socialiste, por ka një ofertë publike të bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për këtë çështje.

Lulzim Basha: Edhe një herë po ta përsëris pyetjen, a të kanë kontaktuar nga PS për të bërë pazar me këtë çështje, sepse unë nuk kam mandatuar njeri?

Oerd Bylykbashi: Qëndrimi i Partisë Socialiste ka qenë i qartë dhe oferta është bërë publike nga eksponentë të Partisë Socialiste. Unë kam folur edhe me Fredin për çështjen e vetingut, ai më ka folur për këtë çështje dhe unë i kam shprehur mendimin tim që edhe prioritetet duhen renditur. Por ajo që kam shkruar unë, nuk kishte fokusin tek ajo që është theksuar në media. Ato çfarë janë vendosur në titujt e mediave. Qëllimi ishte që PD të tregohet e vëmendshme që duke shfrytëzuar rastin e kërkesës së maxhorancës, të tregohet e kujdesshme për të rregulluar ato të cilat u bënë në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste në 2014 me reformën territoriale dhe më pas me ndryshimet e fundit të korrikut në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor.

Flamur Noka: Çfarë di më shumë Fredi që s’e dimë ne? Sigurisht që ka pazar.

Lulzim Basha: Secili me përgjegjësi politike ka për detyrë të mos u bjerë me shkelm sakrificave të demokratëve dhe të interesave të tyre më të mira e jo t’i shërbejë interesit të asnjë personi të veçantë këtu apo jo. Për t’u kursyer demokratëve çfarë nuk duhet të mbajnë mbi shpinë, secili duhet të shqyrtojë me përgjegjësi më të madhe të mundshme çdo gjë që bën dhe thotë. Vetëpërmbajtja është mençuri dhe guxim, nuk është dobësi. Mospërmbajtja pavarësisht motivit, emocional, oportunist, mosinformimit, kalkulimeve, asnjëherë nuk sjell të mira.

Oerd Bylykbashi: Dakord, por ju nuk duhet të mjaftoheni vetëm me titujt, por duhet të lexoni edhe për brendinë.

Gazment Bardhi: Edhe brenda shkrimit tënd flisje për pazar. Këtë mesazh kishe.

Oerd Bylykbashi: Mos ndërhy ti, se nuk mund të bësh avokatin pa të kërkuar njeri. Nuk je kryetari…

Gazment Bardhi: Unë jam sekretari i përgjithshëm.

Oerd Bylykbashi: Këtu jemi të gjithë njësoj. Kjo është kryesia e Grupit Parlamentar dhe je njësoj si ne të gjithë. Por pusho se edhe ato reagimet e ulëta që bën nëpër media, ti i bën. Në çdo media, në reagimin që është bërë, ishte fytyra jote.

Gazment Bardhi: Nuk kam çfarë të bëj unë se je fiksuar ti me fytyrën time, se edhe në një emision ku ishe fole 20-30 minuta për mua.

Lulzim Basha: Edhe një herë, duhet të jemi të kujdesshëm sepse keqinterpretohen dhe dëmtojnë partinë dhe demokratët këto gjëra.

Oerd Bylykbashi: Demokratët dhe partinë e dëmtojnë nëse do ketë vërtet një pazar. Ndërkohë, sa i përket qëndrimit tim, nuk i heq asnjë presje, por ai duhet lexuar saktë.

Tomorr Alizoti: Ju lutem, ne nuk mund të jemi vetëm figurantë këtu. Nëse keni diskutime dhe debate të ngushta, mund të takoheni dhe t’i bëni më vete. Kemi 2 orë këtu dhe vetëm qëndrojmë si figurantë.

Ervin Salianji: Sa u përket vendimmarrjeve politike, nuk mund që të vihet në mbledhje me vendime të marra dhe ne të vihemi përballë faktit të kryer. Unë mendoj se i shërben partisë dhe opozitarizmit që të ketë më shumë kolegjialitet për çdo vendimmarrje që ka partia. Duhet të pyeten dhe të konsultohen më shumë çështjet me deputetët.

Lulzim Basha: Do ta mbyll me porosinë që të tregohemi të kujdesshëm në atë që komunikojmë në publik. Të ketë më shumë bashkëpunim mes deputetëve sipas komisioneve dhe të koordinohemi për çdo vendimarrje.

Marrë nga Gazeta Panorama 

http://www.panorama.com.al/je-i-fiksuar-me-fytyren-time-ti-pusho-sje-kryetar-ste-kerkoi-njeri-akuzat-e-bylykbashit-per-pazar-me-ps-ne-zbardhet-debati-me-dyer-te-mby/