MARIGLEN KUME/ Një urim i pazakontë i deputetit të PS-së në Lushnjë, Bujar Çela, me rastin e ditës së Pavarësisë në grupin e komunikimit të Komisionit të Sigurisë shkaktoi përplasje mes demokratëve dhe socialistëve.
Ishte deputeti i PS-së në Durrës Denis Deliu i cili uroi kolegët e tij të komisionit. Më pas Bujar Çela dërgoi një fotomontazh për të uruar kolegët e tij me rastin e 28-29 nëntorit. Fotoja kishte nja flamur të Shqipërisë dhe një portret të diktatorit Enver Hoxha. Një orë pas mesazhit që dërgoi deputeti i PS-së në Lushnjë, reaguan edhe demokratët.
I pari ishte nënkryetari Alibeaj, i cili e ka quajtur Çelën faqezi. Ndërsa më pas edhe deputetja Dhurata Çupi, Ervin Salianji, Isuf Çelaj dhe nënkryetari tjetër i PD-së Rrushaj.
Debati përshkallëzoi aq sa pati edhe përdorim të fjalëve të papërshtatshme në grupin e “WhatsApp”-it nga deputeti socialist Çela. Pas kësaj demokratët, Dhurata Çupi, Isuf Çelaj dhe Alibeaj, u larguan nga grupi i komunikimit.
Ndërkohë, kolegët e deputetit të Partisë Socialiste i dolën në mbrojtje duke thënë se z. Çela e kishte bërë për humor, ndërsa tjetri tha se i kishte humbur telefoni. Por deputeti Bujar Çela i qëndron mesazhit që dërgoi në grupin e punës me kolegët.
Në një reagim për gazetën “Panorama”, ai shprehet se historia e shtetit shqiptar njeh tre burra, Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Enver Hoxhën dhe s’mund të ketë Shqipëri pa këta.
Bujar Çela, për gazetën “Panorama”: A mund të ketë Shqipëri pa emrin e Enver Hoxhës?! Shqipëria ka vetëm tri emra: Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Enver Hoxhën.
Debati në Komisionin e Sigurisë
Denis Deliu (deputet i PS): Gëzuar festën e Pavarësisë Komisioni i Sigurisë. Zoti ju bekoftë juve dhe të gjithë kombin shqiptar!
Bujar Çela (deputet i PS): Dërgon në grupin e Komisionit të Sigurisë “Gëzuar 28- 29 nëntorin”, fotoja mbante flamurin e Shqipërisë dhe diktatorin Enver Hoxha.
Enkelejd Alibeaj: “Është turp i madh dhe pashpirtësi njerëzore, ky akt i mësipërm. Të postosh foton e diktatorit, siç ka bërë deputeti faqezi, tregon fytyrën e vërtetë të nostalgjikëve të komunizmit, pavarësisht ngjyrave të sotme. O deputet faqezi, kushdo qofsh ti, hiqe këtë foto. Turp, turp, turp!”.
Dhurata Çupi: Turp është. Nëse s’ke dëshirë të urosh në mënyrë qytetare dhe të pranueshme, hesht. Ky është veprim i papranueshëm.
Bujar Çela: Rrituni për Shqipërinë që duam!
Enkelejd Alibeaj: Shqipëria që do ti dhe padronët e tu qenka krimi dhe gjaku i pafajshëm i shqiptarëve. Turpi dhe mallkimi i shqiptarëve të ndershëm rëntë mbi ty dhe gjithë farën tuaj të keqe!
Isuf Çela: I nderuar koleg, kushdo që të jeni ju, e para nuk është korrekte të dërgosh në grupin e njërit prej komisioneve më të rëndësishme parlamentare një urim me atë foto të ish-diktatorit në sfond dhe aq më tepër përgjigja ironike: Rrituni për Shqipërinë që duam.
Lindita Metalia: Antinjerëzore, antikombëtare dhe një turp i madh akti i mësipërm. Të jesh njerëzor dhe përfaqësues i qytetarëve kërkon qytetari, vlera dhe dinjitet! Kur nuk ke asnjërën, atëherë është fatkeqësi.
Bujar Çela: Bëhu njeri dhe jeto kohën.
Alfred Rushaj: Më vjen keq që nuk reagon kryetar. Turp që jetoni akoma kohën e dramave dhe kemerëve të kuq.
Paulin Stërkaj: Ky shoku ynë është gaztori i grupit, kështu që mos ia merrni për provokim.
Bujar Çela: O tufa, jetoni dhe mos gjykoni kohën. Më rruan lesht kush s’më njeh mua dhe kohën.
Deputetja Dhurata Çupi, Isuf Çela dhe Enkelejd Alibeaj largohen nga grupi i komunikimit të Komisionit të Sigurisë.
Bujar Çela: Shqipëria mbi të gjitha.
Denis Deliu: Të nderuar deputetë, deputeti Bujar Çela ka humbur telefonin dhe dikush po e përdor. Lutem mos iu përgjigjni telefonatave ose mesazheve sapo kompania përkatëse celulare ta bllokojë dhe t’i kthejë numrin zotit Çela.
Ervin Salianji: Mos e rëndoni pozitën tuaj dhe mos mbani qëndrime që tregojnë që si grup parlamentar keni të njëjtin qëndrim. Insistimi i tij ishte kriminal, përveçse i turpshëm, mos tentoni të fyeni më tej jo vetëm këtë komision, por qytetarët, distancimi i menjëhershëm nga provokimi do të ishte minimalja si fillim. Përjashtimi dhe distancimi nga akti i tij nuk e shpëton mendësinë e kësaj maxhorance, por së paku të tregoni që ka ndjeshmëri njerëzore te disa prej jush, se te drejtuesit tuaj vështirë se gjen.
Lindita Metalia: Jeni katandisur keq e më keq, ndaj mos e thelloni edhe më shumë skandalin. Edhe pse jeni mësuar të kaloni nga njëri skandal te tjetri dhe nuk iu bën më përshtypje. Minimumi që mund të bëni është distancimi dhe marrja e masave për një deputet që nga sot nuk mund të quhet më i tillë. Është për të ardhur keq si tentoni të justifikoni të pajustifikueshmen.