Xhafaj kritika ndaj Ramës: Debati politik me batuta fyese, ordinere e përçmuese! Të rinjtë po ikin për shkak të kësaj politike

KELMENT BAÇI/ Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, kritikoi gjuhën dhe retorikën e përdorur nga politikanët në Kuvendin e Shqipërisë, një ditë pas përplasjes që Kryeministri Edi Rama pati me opozitën, duke lëshuar një lumë sharjesh e ofendimesh ndaj saj.

Gjatë fjalës së tij për buxhetin, Xhafaj u shpreh se çdo ditë e më shumë debatet në Kuvend po largohen nga pritshmëritë e qytetarëve për të mirën e tyre, duke u shprehur se kjo është një legjislaturë shpërfillëse që paraqitet më e dobët se kurrë më parë. Për deputetin e PS-së kjo gjuhë dhe retorikë politike, është fajtore dhe për largimin e të rinjve nga vendi.

“Fatkeqësisht, në këto dy ditë po ndodh krejt e kundërta. Debati bardh e zi, që po zhvillohet mbi këtë temë të rëndësishme, reflekton një legjislaturë shpërfillëse që paraqitet më e dobët se kurrë më parë. Fryma e debatit normal, konsensusit politik dhe etikës politike, tashmë është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përçmuese e jo rrallë ordinere, retorikën e ashpër, gjuhën e baltës dhe shpifjen. Dëshpërimisht kjo lloj qasje e gabuar është shndërruar në normalitet dhe instrument i të ashtuquajturës luftë politike. Kjo mungesë përgjegjshmërie dhe aftësie për të dialoguar qetësisht për çështje kaq madhore jo thjesht nuk e nderon këtë sallë, por e turpëron para popullit e kombit. Ka shumë arsye përse është kaq e vështirë në këtë legjislaturë të bësh debat të këtij niveli. Po një gjë është e sigurt. Kjo sallë dhe çfarë ndodh këtu është një nga arsyet kryesore përse ka shifra aq të larta negativiteti në sondazhet e barometrave të ndryshme që na ndëshkojnë fort, por edhe pse ka aq shumë pesimizëm, mosbesim po dhe dëshpërim jashtë saj e veçanërisht tek të rinjtë dhe përse një pjesë e tyre vazhdojnë të largohen nga vendi”, tha Xhafaj.

KRITIKA PËR BUXHETIN

Deputeti socialist vlerësoi disa sektorë në të cilat buxheti për vitin 2023 ishte shtuar si arsim, shëndetësi dhe bujqësi, por kritikoi mungesën e fondeve në disa të tjerë në një ekonomi të brishtë si e jona.

“Situatat aktuale duhet ta bëjnë qeverinë shumë më të përulur, shumë më komunikuese me grupet e interesit dhe kryesorja edhe më transparente e të angazhuar realisht në luftën kundër korrupsionit në menaxhimin dhe mirëpërdorimin e fondeve buxhetore. Unë bie shumë dakord me disa masa shtrënguese të përfshira në buxhet, megjithatë është absurde që kur flasim për kohë lufte, të programojmë disa investime dhe shpenzime si në kohë paqeje që të ketë kuptim në këtë rast edhe ajo shprehja e mençur e popullit, ‘Shtrij këmbët sa ke jorganin’.

Kjo edhe për faktin se kambanat e krizës energjetike dëgjohen përherë e më pranë si një pandemi e re ekonomike. Besoj se po punohet shumë për ta menaxhuar situatën e vështirë energjetike, por përtej krizës ne duhet të shohim se si do përfitojmë për të ardhmen që të mos bëjmë të njëjtat gabime. Mendoj se, buxheti edhe në këto kushte shtrënguese mund e duhej të ishte shumë më i fokusuar te grupet e interesit apo xhepin e të pamundurit, veçanërisht për pensionistët pa mbështetje shtesë, dhe mbi të gjitha duhet të programojmë më mirë disa politika shumë më incentivuese për rininë si: Kualifikimi teknologjik, mbështetja e bizneseve të reja, shtimi i banesave sociale për çiftet e reja, punësimi i të rinjve, krijimin e lehtësive për bizneset e huaja prodhuese në vend dhe veçanërisht atyre që ofrojnë e garantojnë vende të reja pune”, tha Xhafaj.

BUXHETI PËR DREJTËSINË

Si ish-ministër i Drejtësisë, për buxhetin e institucioneve të reja të drejtësisë, ai u shpreh se ato janë financuar jo pak dhe se ka ardhur koha që qytetarët të marrin mbrapsht investimin e taksave të tyre.

“Nuk është se mendoj që ka nevojë për një mbështetje shumë më të fokusuar pasi gjithë këto vite sistemi është financuar dhe jo pak. Jo nga qeveria, por nga qytetarët, nga taksat e tyre pavarësisht se gjithë këto vite është dukur jo rrallë si favor qeveritar apo si qoka e ministrit të radhës. Natyrshëm, ka nevojë për disa investime të domosdoshme në sistem por edhe për të analizuar për efektin e shpenzimeve të bëra nga ana e institucioneve të drejtësisë, që buxheti i dhënë të përdoret më me efektivitet prej tyre.

Sot, është koha t’i bëjmë ca hesape me laps e letër pasi qytetarët duhet të marrin fillimisht mbrapsht investimin e taksave të tyre. Njerëzit e drejtësisë duhet të justifikojnë besimin dhe mbështetjen e madhe që ju është dhënë nga qytetarët me rezultate konkrete domethënëse në dhënien e drejtësisë dhe veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit. E kam thënë dhe dëshiroj ta përsëris edhe më fortë: Me reformën në drejtësi, ka ndryshuar kuadri kushtetues e ligjor, formatimi dhe pozicionimi i institucioneve të reja të drejtësisë në peizazhin e strukturës sonë shtetërore dhe në vet politikat qeverisëse, por për fat të keq nuk ka ndryshuar ose ka ndryshuar shumë pak qasja jonë me sistemin, raporti me të. Nuk është vonë për të reflektuar mbi një qasje tjetër me sistemin, pikësëpari nga kjo sallë. Para së gjithash, me retorikën dhe adresimet publike ndaj sistemit në tërësi dhe institucioneve të caktuara në veçanti”, tha Xhafaj. Marrë nga Gazeta Panorama