Gjykata e Tiranës ka vendosur “shtrim të detyruar në psikiatri” për Zyhdi Shehin, autorin e dyshuar të vrasjes së të moshuarit, Virxhil Nesho, në azilin privat në kryeqytet. Në seancën për vlerësimin e masës të zhvilluar sot, gjykata vendosi që Shehu, Historiani dhe “Qytetar Nderi” i Kavajës të shtrohet në spitalin psikiatrik, sepse ky i fundit ka shfaqur probleme mendore dhe mësohet se vuante nga skleroza.
Ndërkohë për dy punonjëset e azilit, kryeinfermieren dhe infermieren të cilat dyshohet se u munduan të fshehin krimin, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se të dyja ato, pasi i moshuari mbeti i vdekur nga goditjet me shkopin e hekurit nga shoku i dhomës, Zyhdi Shehi, e kanë nxjerrë trupin dhe kanë pastruar gjakun, e më pas kanë njoftuar një agjenci funerale. Në polici ato kanë deklaruar se i moshuari humbi jetën pasi u rrëzua. Por pas këqyrjes së trupit të viktimës, agjencia funerale e ka kthyer trupin pas, pasi dyshonin se shenjat nuk ishin nga rrëzimi, por shenja të tjera dhune.
78-vjeçari Zyhdi Shehu goditi për vdekje, shokun e dhomës me bastun, pas një sherri mes tyre që dyshohet se ka nisur, pasi viktima ndodhej në krevatin e autorit. Për këtë arsye, Shehu ka marrë bastunin dhe ka nisur të godasë shokun e dhomës disa herë. Dy të moshuarit vuanin nga skleroza dhe flinin në një dhomë.