Vrau 25-vjeçarin në Tiranë, arrestohet efektivi i policisë, ja akuza

Arrestohet efektivi i policisë që qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka arrestuar policin e dyshuar për vrasjen e të riut, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar pak orë pas mesnatës. 


Mësohet se arrestimi është bërë me akuzën e vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme.

Ngjarja ndodhi në zonën e Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:45. Burime zyrtare nga policia thanë se 25-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar madje është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri, ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur me pistoletën e shërbimit. I riu humbi jetën në spital.