Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të premte në Hanover të Gjermanisë, ku ka pasur një përplasje me armë mes dy shqiptarëve nga Kosova.
Njëri prej tyre, i identifikuar si Armin Neziri, 30-vjeç, u qëllua me armë zjarri në një nga kryqëzimet e qytetit gjerman, teksa ndodhej brenda automjetit të tij tip “Porsche Cayenne”, ku si pasojë mbeti i vrarë në vend.
Dyshohet se autor i ngjarjes është një tjetër shqiptar nga Kosova, i identifikuar si Rinor Z., i cili drejtonte automjetin tip “Mercedes Benz”. Mediat e huaja mendojnë se në konflikt mund të jenë përfshirë më shumë se sa dy personat në fjalë, megjithatë hetimet vazhdojmë. Sipas dëshmitarëve okularë, drejtuesi i “Mercedes Benz-it”, Rinor Z, pas përplasjes është larguar në këmbë, ndërsa ka arritur t’i shpëtojë forcave të policisë.
“Autori i dyshuar i vrasjes është larguar, jemi ende në kërkim të tij”, tha Katrin Soefker, zëdhënëse e zyrës së prokurorit publik në Hanover. Mediat gjermane bëjnë me dije se hetuesit dyshojnë se Rinori ndodhet ende në Gjermani.
Sakaq, Armin Neziri nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë gjermane.
Emri i tij është lakuar më 22 mars të 2017-ës, për një përplasje me armë zjarri në Andreas-Hermes-Platz, ku mbeti i vdekur një person, një 25-vjeccar nga Maqedonia. Shkak i përplasjes ishte një femër, raportojnë mediat gjermane.
Megjithatë Armini u lirua shpejt për shkak se u tha se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Para disa kohësh, Neziri ishte plagosur nga disa goditje me thikë.