Vrasja në Elbasan/ Policia: Në makinën ML, s’janë gjetur prova për blerjen e votës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dalë në një konferencë për mediat ku po sqaron ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Elbasan ku mbeti i vrarë, Pjerrin Xhuvani.

VOTO ORLANDO RAKIPI

Veliu bën me dije se sot janë ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit:

Arbër Paplekaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim;

Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”  dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Eldjo Beko, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Po ashtu Veliu njofton se shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan janë njoftuar nga shtetasi Arjan Hoxha, i prezantuar si përgjegjës i sigurinë për shtabin elektoral  të subjektit politik Partia Demokratike për qarkun  Elbasan, se në rrugën ”Lef Nosi”, në qytetin e Elbasanit, kishte një incident me disa persona. Ndërkohë, një patrullë e Forcës  së Posaçme “Shqiponja”, dhe dy zv.drejtorët e Policisë së qarkut, ai i Hetimit dhe ai i Sigurisë u nisën drejt vendngjarjes. Në vendngjarje, shtetasi Arjan Hoxha është shkëputur nga grupi i personave që e shoqëronin dhe ka komunikuar me punonjësit e Policisë, duke u thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, për të cilin pretendonin se po kryente veprime për blerje votash për një subjekt politik. Po kështu grupi i personave të ndaluar kanë bllokuar qarkullimin e automjetit fuoristradë ML të drejtuar nga shtetasi M. G., duke i prerë rrugën,  marrë çelësin e automjetit. Ndaj këtij shtetasi dyshohet se janë kryer veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim.

Shtetasi Arjan Hoxha ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe  Nuredin Kasma, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie  dhe nuk janë banorë të qarkut Elbasan.

Gjithashtu këta shtetas kanë deklaruar se janë vullnetarë të mbrojtjes së votës për Partinë Demokratike. Ata qarkullonin me tre furgonë të bardhë dhe të loguar me siglën e kësaj force politike.

Pas  mbërritjes së forcave të Policisë,  konflikti i nisur më parë u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve  dhe për pasojë ka mbetur i varrë shtetasi Pjerin Xhuvani dhe janë plagosur shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xh. S.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 gëzhoja të kalibrave  9  dhe 11.1 milimetra,  4 predha,  tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa  dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celular, pamje filmike etj. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale shtetasit Arbër Paplekaj i është sekuestruar edhe një armë zjarri e tipit “Glock” . Nga këqyrja e automjetit  tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës. Këto prova po i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore. Ndërkohë grupi i posaçëm hetimor vijon punën intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje./Opinion.al