Vrasja e Klodian Rashës/ Jepet pretenca për Nevaldo Hajdarajn, ja sa vite burg kërkoi Prokuroria

Është dhënë sot pretenca për ish-policin Nevaldo Hajdaraj.


Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vjet burgim, por me gjykimk të shkurtuar mbeten 13 vite e 4 muaj.

Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës të Nevaldo Hajdarajt për gjykim të shkurtuar. Evektivi Hajdaraj akuzohet për “vrasje me dashje”. Seanca u ndoq edhe nga babai i viktimës, Qazim Rasha.

Dëshmia

Nevaldo Hajdaraj ka pretenduar në dëshminë e tij pas ngjarjes se u kërcënua nga Klodian Rasha.

“Duke qenë se ai nuk e ndalte vrapin, unë gjatë ndjekjes vura re që ai shtetas diçka nxori nga brezi dhe po e mbante në dorë dhe duke vrapuar më lëshoi kërcënim… MOS U AFRO SE DO TË QËLLOJ”

“Ai u kthye dhe me dorën me sendin e dyshuar si armë në drejtimin tim. Në atë çast jam rrëzuar përtokë dhe ashtu i shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi duke pasur frikën se mos më qëllonte. Pastaj jam ngritur në këmbë dhe ai u tremb dhe u nis drejt një kthese dhe në errësirë, eca pak përpara dhe bëra qitjen e dytë pra ende pa u futur shtetasi në kthesë”.

Efektivi ka treguar se kur iu afruan Klodian Rashës së bashku me policin tjetër dëgjoi që ai rënkonte dhe se e kishte pyetur a kishte pyetur nëse kishte marrë ndonjë plumb, “por ai nuk mu përgjigj dhe kështu njoftova ambulancën”. Hajdaraj akuzohet për vrasjen me dashje të 25-vjeçarit gjatë orarit të orës policore, në kuadër të masave anti-covid.

Deklarata e dëshmitarit në hetuesi

Nga materiali hetimor ka rezultuar se është pyetur në cilësinë e personit që deklaron rrethana të dobishme për hetimin shtetasi Marash Aliaj, ku nga deklarimi ka rezultuar se ka ne përdorim një automjet, të llojit autoveturë të markës “Suzuki”, ngjyrë të bardhë me targa AA XXX XD, në pronësi të shtetasit me inicialet B. R., automjet të cilin e përdor për arsye familjare. Sipas deklaruesit, më datë 08.12.2020, rreth orës 01:00 minuta, ka qene duke lëvizur në rrugën: “Dritan Hoxha”, me drejtimin nga vendi i quajtur Laprakë në drejtim të vendit të quajtur “Zogu i Zi”. Sipas deklaruesit, në momentin kur ka qenë përballë me vendin e quajtur “Kupola” pranë semaforit, ka parë nga larg se një automjet policie ia ka bërë me drita të gjata, me shenjë për të ndaluar.

Pasi ka parë nga pasqyra automjetin e policisë i është përgjigjur shenjës se ndalimit, ka hapur krahun dhe ka ndaluar mjetin pranë hotel “Dilo”, ku njëkohësisht prapa mjetit te tij ka qenë dhe automjeti i policisë. Sipas deklaruesit, nga automjeti i policisë ka zbritur një punonjës policie, i cili është afruar pranë automjetit duke i kërkuar dokumentet e mjetit. Sipas deklaruesit, është bindur urdhrit te punonjësit të policisë dhe ka filluar që të japë dokumentet. Sipas deklaruesit, në këto momente ka parë përpara automjetit të tij, në krahun e djathtë, një punonjës policie, i cili po ndiqte një person me vrap duke kaluar rrugën ne krahun tjetër, duke shoqëruar edhe me fjalët “ndalo, policia!” në drejtim të këtij shtetasi që po largohej me vrap. Sipas deklaruesit, veprimet e mësipërme i kanë tërhequr vëmendjen dhe me anë të shikimit ka parë se shtetasi që po vraponte dhe punonjësi i policisë që po e ndiqte kanë hyrë në një rrugicë, e cila korespondon përballë me hotel “Dilo”, e cila të çon pranë ish-Shkollës së Partisë. Sipas deklaruesit, gjatë këtij momenti, punonjësi i policisë, i cili i kishte kërkuar dokumentet, dhe po ndiqte me sy kolegun e tij, i ka kthyer dokumentet e mjetit dhe pasi ka mbyllur automjetin e policisë, ka vrapuar duke kaluar rrugën me qëllim të ndiqte drejtimin nga iku shtetasi në fjalë dhe punonjësi i policisë. Sipas deklaruesit, në këto momente i ka kërkuar punonjësit të policisë nëse mund të levizte, por ky i fundit nuk i ka kthyer përgjigje.

Sipas deklaruesit, gjatë kesaj kohe ka qëndruar në automjetin e tij pa lëvizuar fare, ku pas disa minutave ka dëgjuar një krisëm si ajo e armëve të zjarrit dhe ka dëgjuar një zë personi i cili ka thënë se “e vranë”. Sipas deklaruesit, pas këtij momenti ka dale nga automjeti, është afruar drejt vendit ku kishte dëgjuar krismën dhe ulërimen, rreth pesëmbedhjetë metra larg, në rrugicën që kufizohej me një servis automjetesh. Sipas deklaruesit, pasi është afruar në rrugicë, njëkohësisht në këtë vend është afruar një punonjës policie, i cili ka shikuar në drejtim të një personi, i cili ishte shtrirë në tokë, ku pas disa sekondave në këtë vend ka shkuar dhe një punonjës policie tjetër me vrap, i cili i është drejtuar kolegut duke i thënë se çfarë donte që kishte shtirë me armë.

Sipas deklaruesit, pas rreth një minute në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjëse të tjerë të policisë, të cilët janë afruar pranë shtetasit të shtrirë dhe nga ky moment punonjësit e policisë i kanë kërkuar që të largohej nga vendi. Sipas deklaruesit, ai ka qenë rreth pesë metra pranë personit që ishte shtrirë, dhe kur është afruar ka parë që personi i shtrirë ishte me kokën në drejtim nga rruga kryesore pranë murit dhe këmbët në drejtim të rrugicës në krahun tjetër. Sipas deklaruesit, gjatë kohës që ka qëndruar, nuk ka dëgjuar komunikime apo debate të tjera. Sipas deklaruesit, personi që po ndiqte punonjësi i policisë me personin që ka pare shtrirë në tokë ishte i njëjti. Sipas deklaruesit, punonjësi i policisë që është afruar i pari në vendin e ngjarjes ishte punonjësi që e ka ndjekur që në fillim personin e shtrirë, ndërsa punonjësi i policisë që është afruar i dyti në vendin e ngjarjes ka qenë punonjësi i policisë që i kishte marrë dokumentet e mjetit.

Protestat dhe dorëheqja e ministrit 
Vrasja e Klodian Rashës ka sjellë reagim shoqëror, sidomos në Tiranë.
Qytetarë të shumtë kanë dalë në protestë, në lidhje me ekzekutimin e të riut në mesnatë. Banesën e familjes Rasha e vizitoi kryeministri Rama, si dhe presidenti Meta. Edhe kryedemokrati Basha reagoi për ngjarjen, ndërsa ministri i Brendshëm në detyrë Lleshaj dha dorëheqjen.