Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi, me anë të një statusi në “Facebook” ka reaguar për vrasjen e të riut Klodjan Rasha nga policia, mbrëmjen që lamë pas.
Bardhi shprehet se sot ekzekutori i Rashës nuk është efektivi i policisë, por Rama e Lleshaj . Ai shton se Rama e Lleshaj e kanë miqësuar Policinë me bandat dhe e kanë armiqësuar me qytetarin.
Po ashtu, Bardhi shprehet se njëherë e një kohë ishte Ruçi ai që vriste e persekutonte, ndërsa sot vret Rama e Lleshaj, duke ndryshuar emër, por jo model.
Postimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi:
Para 30 viteve rininë e rrihte, persekutonte dhe vriste Gramoz Ruçi, sot e dhunon, gjobit dhe vret Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Kanë ndryshuar vetëm emër, por jo model!
Vrasja e një të riu 25 vjeçar, vetëm se nuk i ndaloi Policisë për vendosjen e maskës dhe orarin e ndalimit të lëvizjes, është shokuese. Të dhënat e para për vrasjen e një 25 vjeçari në mes të Tiranës nga Policia e Shtetit hedhin dyshime të forta për vrasje me dashje pa asnjë shkak. Njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit qartazi krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime qesharake të denja për një bandë.
Prokuroria duhet të ndërmarrë menjëherë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes dhe zbardhjen e të vërtetës. Secili prej nesh pret drejtësi për këtë akt kriminal të pashembull dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes.
Policia që vret një të ri në Ditën e Rinisë është modeli më i keq i Policisë së Shtetit. Sot vrasësi i të riut nuk është efektivi i policisë, por Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, me politikën e tyre qeveritare të armiqësimit të Policisë me qytetarët dhe miqësimit të Policisë me bandat.
Është irrituese që në 8 vite Edi Rama ndërtoi modelin e Policisë që nuk lufton krimin, por burgos, gjobit dhe vret qytetarët e pambrojtur.
Është e paprecedentë që në 8 vite në vend të komunikatave të përditshme sesa grupe kriminale ka zbuluar dhe arrestuar, Policia e Shtetit është fokusuar vetëm tek informacioni i përditshëm sesa gjoba i ka vendosur qytetarëve. Kjo nuk është arsye se përse ekziston Policia e Shtetit. Kjo është një politikë e gabuar, që e armiqëson Policinë me qytetarët dhe e miqëson me bandat.
Kjo duhet të marrë fund menjëherë!