MARIGLEN KUME/ Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u ka prezantuar partive politike përmes postës elektronike një projektakt, i cili sanksionon procedurën e regjistrimit të zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit.
Ky është vetëm një hap për të bërë të mundur votimin e diasporës në zgjedhjet e ardhshme. Sipas draftit që i ka dërguar Celibashi partive politike të siguruar nga gazeta “Panorama”, jo më vonë se 15 ditë pasi të jetë dekretuar data e zgjedhjeve do të hapen procedurat për t’u regjistruar votuesit që jetojnë jashtë vendit. Ky proces që do të zgjasë afërisht 7 muaj duhet të mbyllet jo më vonë se dy muaj nga data e zgjedhjeve. Të drejtën për t’u regjistruar për të votuar nga jashtë e kanë shqiptarët, të cilët jetojnë jashtë prej tre muajsh ose 6 muaj në një vit.
Ndërkohë, do të përdoren dy mënyra për t’u regjistruar. “Kërkesa për regjistrim bëhet nga vetë votuesi nga jashtë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të tij, ose nëpërmjet një aplikacioni të instalueshëm në pajisje të ndryshme inteligjente, i miratuar nga KQZ”, thuhet në projektvendimin e Celibashit.
TË DHËNAT QË DUHEN PLOTËSUAR
Ndërkohë, çdo qytetar shqiptar që do të dojë të votojë në zgjedhjet e ardhshme pa qenë nevoja që të udhëtojnë drejt Shqipërisë, do duhet që në dy mënyrat elektronike të plotësojnë disa të dhëna.
“Votuesi nga jashtë që kërkon të regjistrohet duhet të plotësojë të dhënat që i kërkohen në formularin përkatës elektronik, i cili i vihet në dispozicion sipas pikës 3 të këtij vendimi. Formulari përkatës elektronik përmban të dhëna mbi: emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, numrin personal të identifikimit, adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, një numër telefoni të lëvizshëm funksional, një adresë email-i të vlefshme.
Zgjedhësi nga jashtë duhet t’i bashkëngjisë (ngarkojë) të dhënave të mësipërme edhe një foto të dokumentit identifikues së tij të lëshuar nga shteti shqiptar dhe/ose nga shteti ku ai banon. Komisioneri nëpërmjet administratës së KQZ-së vërteton vullnetin e votuesit nga jashtë për t’u regjistruar, nëpërmjet identifikimit biometrik të tij, ose nëpërmjet një mënyre tjetër me mjete elektronike, e cila sigurohet plotësisht mbi vërtetësinë e identitetit të votuesit që ka bërë kërkesën për regjistrimin.
Në rast të mosfunksionimit për arsye teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit, procedurat për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendit do të zhvillohen sipas Urdhrit të dalë për këtë qëllim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili publikohet dhe konsultohet publikisht në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së”, vijon sqarimi i procedurës në draftin e kreut të KQZ-së.
VERIFIKIMI
Pas plotësimit të formularit nga ana e qytetarëve, të dhënat do të verifikohen nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke bashkëpunuar edhe me gjendjen civile.
“KQZ-ja ka të drejtën e verifikimit të përputhshmërisë së të dhënave të formularit përkatës elektronik të plotësuara nga votuesi nga jashtë me të dhënat e tij në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC).
Nëse votuesi nga jashtë nuk ka deklaruar vendbanimin e tij në përputhje me përcaktimet e ligjit 14/2016 ‘Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë’ dhe akteve nën ligjore të nxjerra në zbatim të tij ose të dhënat e formularit përkatës elektronik nuk përputhen me ato të RKGJC, atëherë kërkesa për regjistrim refuzohet.
Në këtë rast, votuesi nga jashtë njoftohet për refuzimin nëpërmjet email-it, ose mesazhit telefonik, ose automatikisht pas aplikimit për regjistrim nëpërmjet faqes zyrtare së internetit të KQZsë, ose aplikacionit përkatës. Votuesi të cilit i është refuzuar kërkesa për regjistrim, ka të drejtën të aplikojë sërish, duke respektuar afatet e përcaktuara në këtë vendim.
KQZ-ja përfshin në një listë të posaçme emrat dhe të dhënat e tjera identifikuese të votuesve nga jashtë të cilëve iu është pranuar kërkesa për t’u regjistruar për të votuar atje ku ata kanë vendbanimin jashtë vendit, këtej e tutje referuar si Indeksi i Votuesve nga Jashtë (IVJ)”, thuhet në draft. Ndërkohë pas verifikimit, lista përcillet te Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila do të përgatisë listën përfundimtare të zgjedhësve brenda Shqipërisë, pasi të jenë hequr ata të cilët jetojnë dhe mund të votojnë nga jashtë vendit. “Jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve, KQZ-ja e dërgon IVJ-në në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile (DPGJC).
DPGJC-ja harton listën e zgjedhësve sipas përcaktimeve të nenit 56 të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008, ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar, duke hequr nga kjo listë emrat e atyre personave që përmban IVJ-ja. DPGJC harton listën e zgjedhësve nga jashtë vendit sipas përcaktimeve të nenit 46, paragrafi 3, të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008, ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar.
Subjektet zgjedhore të regjistruara në këto zgjedhje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me kërkesën e tyre dhe pa pagesë, mund të marrin nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe/ose Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një kopje elektronike të listave të zgjedhësve nga jashtë vendit.
Në rastin kur kërkesa për regjistrim është pranuar, atëherë KQZ-ja njofton votuesin nga jashtë se ai do të hiqet nga lista e zgjedhësve të cilët votojnë brenda territorit të RSH dhe se do të pajiset me fletë votimi për të votuar atje ku ai ka vendbanimin”, theksohet në këtë draft. Panorama.al