“Vija e kuqe do thellohet”, Edi Rama jep mesazhin e prerë për punësimet në administratë


Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së kryeministri Edi Rama ka dhënë një prononcim për media, ku foli për një vijë të kuqe për të gjitha punësimet partiake në administratë.

Punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, theksoi kryeministri, i cili shtoi se do të kalohet në një nivel të ri të cilësisë së administratës.

Për një proces tjetër të ri transformimi të brendshëm dhe hapjeje dhe në bazë të disa vendimeve puna në territor do zhvillohet paralelisht. për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verfifikuar cilësinë e përfshirjes të gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria, pavarësisht moshës, për të krijuar një bazë të re për te ecur më tutje.

Ajo që do nënvizoja si shumë të rëndësishme nga kjo mbledhje është që një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në Kongresin e Partisë dhe do të thellohet, është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë, bazuar në Kushtetutë dhe ligj. 

Ta kenë të gjithë të qartë, kjo nuk është propagandë, kjo është vija ndarëse që do na garantojë kalimin në një nivel tjetër të cilësisë dhe qasjes së administratës në raport me publikun. Nëse në shërbimin civile kemi garantuar tanimë që proceset e rekrutimeve kalojnë në kanale ligjore përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze të trashëguar në 30 vjet, por duhet ta qasim me forcë dhe vendosmëri”,tha Rama.