Qazim Rasha nuk e ka të vështirë të thotë çfarë kërkon dhe cili është kompensimi për humbjen e tij të madhe, vrasjen e të birit 25-vjeçar nga policia. Në një intervistë për gazetaren Klodiana Lala, ku flet pas vendimit të qeverisë për një pension të posaçëm, babai i Klodian Rashës thotë se kërkon drejtësi dhe jo mëshirë. Ai shprehet se vendimin nuk e jep as qeveria, as parlamenti dhe se ka besim tek Gjykata e Prokuroria, por nëse nuk ka drejtësi atëherë ai tregon se ka bërë punën e tij dhe se i ka disa materiale në xhep.
Si e pritët ju si familje këtë vendim të qeverisë shqiptare?
Unë akoma nuk jam në dijen itë vendimit sepse unë nuk ndjek vendimet. Unë akoma ndjek dhimbjet që kam nga brenda familjes. Unë ndjek dhimbjen që çdo minutë sa vjen më rëndohet, çdo minutë sa vjen më shtohet. Duke qenë se në shtëpinë time kanë ardhur të gjithë krerët e shtetit, të gjitha institucionet nga kryeministri, nga shefi i opozitës, nga të gjithë të interesuarit për shqetësimin e djalit tim. Duke qenë se të gjithë janë të shqetësuar për djalin tim, unë që natën e parë kam bërë një prononcim dhe i jam lutur që të gjitha mediave më lini në hallet, në shqetësimet, në problemet e familjes që kam. Kam boll shqetësim e kaq ngarkesë. Por edhe një farë sensibilizimi isha i detyruar me e dhënë për arsye se ndryshe ishte ngjarja, ndryshe u trajtua, ndryshe u ngrit. Vrasja e djalit tim nuk ishte nje vrasje e çfarëdoshme, ishte një vrasje makabër. Ishte një vrasje që nuk ndodh në asnjë lloj regjimi, në asnjë lloj shteti të botës. Polici është fëmija im, është djali im, është i imi, i joti, i gjithkujt, është dhe mbrojtja jonë. Kërkojmë të drejtë, kërkojmë mundësi. Edhe nëse gaboj unë, polici është në nderin tonë, është krenaria e shtetit, është figura kryesore e shtetit. Por që të dalë një fëmijë në moshën 25-vjeçare kur unë prisja në lulen e rinisë për ta fejuar, me e martu dhe të më vritet në rrugicën e shtëpisë, duke vrapuar me u fut në derën e shtëpisë së vet, duke e gjuajt nga mbrapa, këtë se ka bërë as gjermani në kohën e vet. Themi për serbin, por se ka bërë as ai në kohë normale. Atëherë si mund të bëhet një veprim i tillë kaq banditesk dhe mbi të gjitha rëndimi më i madh, plaga më e rëndë vinte kur pas alibisë së djalit ngriheshin dhe alibi të tjera.
A do ta pranojë familja Rasha këtë trajtim financiar?
Kryeministri Edi Rama ka ardhur dy herë personalisht në shtëpinë time. E kam mirëpritur dhe do ta mirëpres sa herë të mendojë për të ardhur për të më ngushëlluar në familjen time. I kam kërkuar kryeministrit, zoti kryeministër kam kërkuar që nga dita e parë drejtësi dhe vetëm drejtësi. Nëse kryeministri im më jep drejtësinë e djalit që të qetësohet shpirti i atij atje, por të qetësohen dhe zemrat e mia, zemrat e gjithkujt që e ndiejnë fëmijën tim si djalin e tyre, ky është vlerësimi, ky është kompensimi, kjo është gjithçka. Në qoftë se vendimi apo gjykimi del me të tilla hipoteza, siç janë ngritur alibi nga më të ndryshmet, jo aksidentale, jo kalim kompetencash, këto janë gjëra që unë prapë kam besim tek gjykata, tek prokuroria. Drejtësinë e japin ato. Në qoftë se ato e gjykojnë që të jepet drejtësi, të jepet. Unë nuk kërkoj mëshirë, nuk kërkoj lëmoshë. Nuk kërkoj të më bësh një nder. Unë kërkoj vetëm drejtësi dhe vetëm ligji. Nëse manipulohen ato mos harrojmë kam bërë dhe unë punën time për aq sa më takon. Ca materiale i kam dhe unë në xhepin tim. Ta dinë të gjithë. Ai është një vend i monitoruar nga 100 kamera, në mos njëra tjetra dhe në qoftë se manipulohet një kamerë apo një tjetër, ca i kam vetë në xhep, ta dinë të gjithë.
Në vendimin e qeverisë, vrasja e Klodian Rashës konsiderohet si vrasje aksidentale. Si u ndjetë kur e lexuat këtë vendim?
As qeveria, as parlamenti, as ti si gazetare, as unë si qytetar nuk mund të japë vendimin. Vendimin e jep vetëm gjykata dhe prokurori. Unë ia kam lënë në dorë shtetit, shteti të bëjë punën e tij. Nëse e drejta shkon atje ku takon mua më lehtësohet dhimbja. Nëse devijohet në një formë a tjetër atëherë do të thotë që këtu ka padrejtësi dhe padrejtësia do të shkojë atje ku është për të shkuar. I kam rritur me djersë, i kam rritur me nder, i kam rritur me krenari dhe jam i zoti t’i rris me krenari dhe s’ia shtri dorën askujt. S’kam nevojë për askënd, as për lekë e as për asgjë në botë. Jetoj me djersën e ballit, jetoj me krenarinë time. Nuk kam dalë për mëshirë, kam dalë të kërkoj të drejtën e djalit tim. Në qoftë se kjo e drejtë zbardhet unë ndiej një farë lehtësimi dhe ai që ka ikur më lehtëson nga shpirti. ndryshe është…nuk e di…nuk ia vë dot emrin pastaj.