Në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët nuk kanë munguar as ata të opozitës. Ndonëse kreu i PD-së Sali Berisha ka shpallur protesta në të gjithë vendin kundër kryeministrit Edi Rama, madje një javë më parë iu bëri thirrje drejtuesve vendorë, por edhe këshillave bashkiak për mosbindje civile, kryetarët e bashkive të drejtuara nga përfaqësuesit e PD kanë vijuar axhendën e tyre dhe janë paraqitur në Kryeministri.
Dhe jo më larg se dje pasdite opozita protestoi në Tiranë dhe zhvilloi mosbindje civile për 3 orë me radhë.
Por këtë të martë kryebashkiakët demokratë i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama, duke thyer kështu edhe mosbindjen civile. Të pranishëm ishin kryetari i bashkisë së Fushë Arrëzit, Hilë Curri, kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi, kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja dhe ai i Pukës Rrok Dodaj.
Pjesëmarrja e tyre nuk shkoi pa vëmendje nga kryeministri Rama, i cili tha se se edhe pse nuk janë të PS janë bërë bashkë “me Partinë e Punës”.
“Po përpiqem të bëjë një sintezë të arsyeve të këtij takimi. Faleminderit që keni ardhur të gjithë, falënderoj kryetarët e bashkive që nuk janë të partisë tonë të PS, por janë bashkë me ne në ‘partinë e punës’”, tha Rama.
Batutat e Ramës
Edi Rama: Po përpiqem të bëjë një sintezë të arsyeve të këtij takimi. Faleminderit që keni ardhur të gjithë, falënderoj kryetarët e bashkive që nuk janë të partisë tonë të PS, por janë bashkë me ne në “Partinë e Punës”.
Rrok Dodaj: Përshëndetje zoti Kryeministër, unë jam kryetari i Bashkisë Pukë
Edi Rama: E di mo e di
Rrok Dodaj: Gjithmonë me Hilën e Fushë Arrëzit, meqë Puka është një por ne jemi të ndarë në dy bashki, ky mundohet me e ba Fushë Arrëzin qendër. Por kuptohet, ka ngel ajo e vjetra, Puka është e madhe, edhe të ndahet në 50 bashki, një ngelet.
Edi Rama: Nëse do ta hapi Hila këtë temë me ndonjë tentativë për referendum, unë me ça lidhjesh kam atje, do të them Fushë Arrëzi, por duhet me shpall Hilën kryetar të përjetshëm, se po iku Hila dhe erdhi tjetri, do duket Fushë Arrëzi si xhep fallco.
Rrok Dodaj: Patjetër, patjetër unë nuk jam xheloz. Unë ju falenderoj. Gjithë ky proces që u bë që në fillim edhe me ministrin e Shtetit, rezulton në fund se ishte diçka pozitive. Jo vetëm për pagat, por edhe mënyrën sesi u qas me legealizimet, me ato planet e menaxhimit, me këtë portalin e bashkëqeverisjes që është një vlerë për ne, banorët dhe problematikat.
Unë me të vërtetë jam një vit e gjysmë në mandat si kryebashkiak, jam ndër bashkitë që konkuroj me projekte të domosdoshme sepse është detyra jonë me i shërby çdo qytetari. Kam një vit e gjysmë që nuk gjej asnjë lloj mundësie, 0 investim në Bashkinë e Pukës.
Edi Rama: Je i sigurt?
Rrok Dodaj: Shumë i sigurt.