Nga Rrogozhina në kuadër të turit për analizën e zgjedhjeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njëkohësisht, drejtuesi politik i këtij qarku, gjatë takimit me strukturat e PS-së sulmoi Partinë Demokratike.
Veliaj tha se Partia Socialiste është një familje dhe si e tillë shqetësohet për problemet e çdo njeriu, ndryshe nga Partia Demokratike, e cila sipas tij shqetësim të vetëm ka se kush do fitojë, Luli apo Berisha.
“Ajo tjetra e ka harruar Rrogozhinën, nuk e di më as nga i bie Rrogozhina. Janë shumë të shqetësuar se kush do jetë kryetari i partisë jo për hallet e njerëzve. Nuk kanë ata këto shqetësime. Ata po mbaroi fushata nuk duken më. Janë të shqetësuar nëse do fitojë Luli apo Saliu. Por siç thotë gjyshja ime: ‘Kokat hëngshin’. Njerëzit i trajtojnë mish për top. Ata hall kanë se kush do jetë kryetar partie, nipi apo gjyshi. Nuk kanë ata pikë interesi se po të kishin interes do ishin këtu, do ktheheshin nga zonat ku morën votat dhe do thoshin: ‘Çfarë të bëjmë për ju?”, u shpreh Veliaj.
Më tej Veliaj tha se deputetët e Partisë Socialiste mbajnë premtimet, siç u bë për zerimin e taksës për pagën deri në 400 mijë lekë.
“Lajmi që qeveria ka futur në buxhet do të zerohen taksat për rrogën deri në 400 mijë lekë. Është diçka që thoshte Etjeni në fushatë këtu. Dhe fakti që menjëherë sa fillon parlamenti mbahet premtimi është një gjë e jashtëzakonshme. Ndërkohë partia tjetër nuk duket më, as Titi dhe as Grida”, theksoi kryebashkiaku.