Kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës nga Kryevidhi i Rrogozhinës, gjatë një takimi me banorët e zonës, deklaroi se më 25 prill, qytetarët të mos votojnë memet, sepse ajo ditë nuk është gallatë.
“Luli mund të jetë gallatë, e mund të jetë meme, e mund të jetë përrallë. Ata që ka futur në listë nga Fatmir ‘Gërdeci’ deri tek Dash ‘Rakia,’ e deri tek Shpëtimi që e shiti Çamërinë për një vend ngjitur me grekun në Parlament, mund të jenë gallatë deri në datë 25. Po data 25 nuk është ditë gallate, nuk është ditë për të votuar karikaturat, memet, gjumashët dhe pijanecët. Është ditë shumë serioze sepse vendos nëse ne do të vazhdojmë të ecim përpara”, theksoi Veliaj.
Shqipëria nuk e ka luksin t’i japë çelësat e shtëpisë një kllouni, vijoi më tej kryebashkiaku.
“Ata na kanë argëtuar gjithë këtë kohë, na kanë bërë të qeshim me tabelën e shumëzimit, na kanë bërë të qeshim duke premtuar ura aty ku nuk ka lum, e lum aty ku s’ka ujë. Por, data 25 Prill nuk është gallatë, është ndoshta dita më serioze e gjeneratës tonë, janë zgjedhje, janë votime në kohë lufte se po të ishim në kohë paqe e merrnim me gallatë, po jemi në mes të një lufte dhe nuk e kemi lluksin që një tufe me klloun t’i japim çelësat e shtetit, në momentin që e kishin dhe e dreqosën, që e kishin dhe fjetën, që e kishin dhe ikën nga puna”, tha Veliaj.
“Pyetja në datë 25 është kush ka punuar më shumë, kush ka sjellë më shumë vaksina, kush ka ndërtuar më shumë shtëpi, kush ka rritur mirëqënien, kush e ka çuar pagën minimale nga 220 në 300 dhe do ta çojë 400. Kush e ka bërë taksën e biznesit të vogël zero? Ka vetëm një përgjigje, Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë. Pyetja është kush ka punuar më shumë, kush na ka bashkuar më shumë, jo kush na ka përçarë më shumë”, sqaroi Veliaj.