Por, paralelisht me këtë rekord “negativ”, shoqëria private ka shënuar rekord “pozitiv” në përfitimin e të mirave publike dhe kjo, mesa duket, falë lidhjeve të duhura familjare e politike.
Aleksandri Vasili është dhëndër në familjen e Kujtim Qefalia, ish-kryetarit jetëgjatë dhe tashmë administratorit të Njësisë Administrative Dajt dhe deputetit socialist, Xhemal Qefalia.
Këto lidhje familjare duket se i kanë siguruar sipërmarrësit Vasili që të sigurojë një numër shumë të lartë kontratash me bashkinë e Tiranës, së drejtuar nga Erion Veliaj, si edhe nga lejet e firmosura prej kryeministrit Edi Rama.
Së fundmi, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e Ramës, ka miratuar “Leje Zhvillimi për objektin: “Sun Moon Star”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Al Point” sh.p.k”.
Për momentin, nuk ka shumë të dhëna për këtë objekt, por duket se është “dhurata” e radhës që pushteti i “Rilindjes” ndan për pinjollët e tij.
Raportime të mëhershme mediatike kanë treguar se shoqëria “Al-Point” në pronësi të Aleksandri Vasilit ka përfituar një numër të konsiderueshëm tendera publike, si edhe leje ndërtimi për godina në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Informacioni i përpunuar nga portali i specializuar për transaksionet e Thesarit tregon se “Al Point”, vetëm gjatë periudhës 2019-2024, ka përfituar rreth 3.8 miliardë lekë të vjetra ose 3.8 milionë euro fonde publike. Interesant është fakti që të gjitha këto kontrata janë lidhur me Bashkinë e Tiranës, së drejtuar nga Erion Veliaj.
Tenderi më i rëndësishëm i fituar nga “Al Point” e Aleksandri Vasilit në Bashkinë e Tiranës është ai për procedura Rindërtimi, zhvilluar në fund të vitit 2020.
Sipas të dhënave zyrtare, “Al Point” dhe “Gjoka Konstruksion” u shpallën fitues të tenderit me vlerë rreth 5 milionë euro, me objekt “Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 19 në zonën zhvillimore “5 Maji”.
Në këtë tender morën pjesë 12 operatorë ekonomikë, nga të cilët 5 u skualifikuan.
Leje pallatesh për “dhëndrin e Qefaliajt
Krahas tenderave, shoqëria “Al Point” e Aleksandri Vasilit rendit edhe disa leje ndërtimi, të përfituara, kryesisht me firmën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
– Në 10 tetor 2011, “Al Point” merr lejen për ndërtimin e një godine banimi pesë-katëshe pranë shkollës 9 vjeçare Qesarakë;
– Në 14 nëntor 2011, kompania e Aleksandri Vasilit, i cili në atë kohë ishte vetëm 25 vjeç, merr leje ndërtimi për godinë shtatë kate pranë restorant Freskut.
– Në datën 25 maj 2012, “Al Point” merr edhe një tjetër leje ndërtimi për godinë banimi pesë kate në Shkozë.
Të treja këto leje i përkasin territorit të ish-komunës Dajt, e cila në atë kohë drejtohej nga Kujtim Qefalia, vjehrri i Aleksandri Vasilit,
Në datën 7 dhjetor 2020, Al-Point regjistron në QKB adresën dytësore për ndërtimin e një objekti dhe shërbimi me 2.6 dhe 7 kate me 2 dhe 3 kate parkimi nën tokë te rruga e Dibrës.
Tre muaj më vonë, në datën 11 mars 2021, kjo shoqëri regjistron adresën dytësore për ndërtimin Godinë Banimi dhe shërbimi 1.6 dhe 7 kate me dy kate parkimi nën tokë.
Në të njëjtin muaj, pra në datën 24 mars 2021, “Al Point” regjistron edhe adresën e ndërtimit të godinë banimi 5 dhe 1 kat nëntokë, te lagja 5 maji.
Kjo është godina e tenderit 4.8 milionë euro nga programi i rindërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës me firmen e Erion Veliaj. Këtë tender shoqëria “Al-Point” e Aleksandër Vasilit e mori në datën 26 nëntor 2020, fiks një vit pas rënies së tërmetit të nëntorit 2019./Boldnews.al/