Pas çeljes zyrtare të fushatës elektorale, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot 6 nga 36 kandidatët për deputetë në kryeqytet. Kandidatët Luljeta Bozo, Ulsi Manja, Ermonela Felaj, Alqi Bllako, Dallëndyshe Bici dhe Vahid Shaba, rrëfyen në një prezantim ndryshe ambiciet e tyre, idetë, por edhe pjesë të panjohura për publikun mbi familjen dhe jetën private.
Vahid Shaba, i cili kandidon në Kavajë rrëfeu se me fitoren e Partisë Socialiste qyteti ku ai jeton, nga një qytezë deri dje pa jetë e pa rrjet kanalizimesh, sot është transformuar totalisht me qendrën e re urbane dhe të gjithë shërbimet dinjitoze për qytetarët.
Veliaj tregoi për herë të parë se si arriti të bindë inxhinieren e ndërtimit, Luljeta Bozo, të kandidojë dhe përfaqësojë PS-në në Parlamentin e ardhshëm. “Kam një sekret të vogël, që s’ia kam thënë askujt. Fillimisht fola me vajzën tënde, Lilën, të cilës i them se kandidimi juaj do të ishte diçka fantastike, sepse do mund të përfaqësohej një grupmoshë që s’ka pasur kurrë një përfaqësim dinjitoz në Parlament.”
“S’kisha ndërmend t’i hyja politikës, por ishte ftesa juaj që më bindi”, pohoi edhe vetë Luljeta Bozo. “Shtysa e dytë ishte një dëshirë e njerëzve pas tërmetit, të cilët më thonin: ‘Ja, disa njerëz si ty duhet të na drejtojnë’”, u shpreh inxhinierja Bozo.
Deputeti i PS, Ulsi Manja rrëfeu se sfida më e madhe për të ka qenë reforma në drejtësi. “Kam 25 vite punë, 13 vite në sistemin e drejtësisë dhe 12 i kam në politikë. Nëse do përpiqem të mendoj kush ka qenë sfida e një vendimmarrje të vështirë, orë e netë pa gjumë, janë përpjekjet për të ngritur organet e reja të sistemit të drejtësisë, sepse reforma në sistemin e drejtësisë ishte kryereforma e këtyre 30 viteve,” tha Manja, duke treguar se në të njëjtat “gjurmë” është dhe vajza e tij që studion në Fakultetin e Drejtësisë.
Deputetja Ermonela Felaj rrëfeu se jeta si politikane pë të ka ardhur pas një eksperience të gjatë në sistemin e gjyqësorit shqiptar. “Pasi mbarova Shkollën e Magjistraturës kam punuar për gati 9 vjet prokurore, fillimisht në Fier dhe pastaj në Berat. Berati ishte një territor i vështirë, sepse ’97 i shkaktoi një traumë të jashtëzakonshme. Aty u dogj gjykata në ato vite, u dogj prokuroria, u dogj edhe komisariati i Policisë, ishte tejet e vështirë. Megjithatë, sprovat mesa duket shpërblejnë, sepse të hedhin në të tjera sprova dhe përgjithësisht mua kështu më kanë ardhur gjërat edhe në rrugëtimin e jetës edhe në atë politik,” rrëfeu Felaj.
Alqi Bllako, i cili për herë të parë garon për deputet, shpjegoi se si ia ka dalë që të reformojë Ujësjellësin e Tiranës, një ndërmarrje deri dje e falimentuar. “E mbaj mend fare mirë që ne trashëguam një ndërmarrje të Ujësjellësit në Tiranë, e cila ishte krejtësisht e falimentuar, ndërkohë që sot është ndërmarrja më rentabël në nivel kombëtar, arritëm të dyfishonim sasinë e ujit të prodhuar, arritëm të dyfishonim sasinë e ujit të filtruar dhe padiskutim që falë marrrëveshjeve të nënshkruara i gjithë territori i Bashkisë Tiranë të përfitojë ujë 24 orë,” u shpreh Bllako.
Dallëndyshe Bici, drejtuesja e mirë e IKMT-së, ka ndarë me publikun momentet e vështira të kësaj sfide. “Puna relativisht ka qenë shumë e vështirë. Ne kemi bashkëpunuar ditë për ditë për territorin, sepse të dy së bashku e duam shumë këtë territor, nga gjërat më të vogla deri te projektet më të mëdha. Vështirësitë që kemi hequr së bashku, zgjimi në 05:00 të mëgjesit, më është dashur të ngre zërin, por besoj se ia kemi arritur. IKMT ka qenë beteja e parë në çdo sfidë, në çdo investim që ka bërë qeveria shqiptare,” tha Bici.