Ulja e eksporteve bujqësore, PS-PD përplasen në Komision parlamentar!


KELMENT BAÇI/ Ulja e eksporteve të disa produkteve bujqësore në vitin 2021 ka shkaktuar debate mes maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

Gjatë prezantimit të ligjit “Për mbrojtjen e bimëve”, nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, deputet e opozitës dolën kundër dhe kërkuan që ai të ndalohej së diskutuari në Kuvend.

Ata sollën në Komision të dhënat e INSTAT-it ku thuhej se gjatë vitit të kaluar eksporti i zarzavateve ka rënë pas 16 vitesh.

Deputeti Helidon Bushati ironizoi deklaratën e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend për rritjen e eksporteve.

“Meqenëse në seancën e parë kur u bë prezantimi i programit qeverisës dolëm kampionë ballkanik në eksportimin e frutave dhe zarzavate, sipas INSTAT-it, sot kemi një rënie të dukshme jo vetëm të eksporteve, por edhe të sipërfaqeve të mbjella bujqësore. Tani, ka gënjyer Kryeministri apo po gënjen INSTAT-i”, tha Bushati.

Por, ministrja Frida Kricfa deklaroi se eksportet bujqësore në total në vitin 2021 janë rritur me ndërsa efekti ekonomik i uljes së eksporteve të zarzavateve është në një shumë prej 38 milionë lekë më e vogël se viti 2020.

“Dua t’ju informoj që eksportet bujqësore në total në vitin 2021 ka një rritje prej 14 për qind. Sa i përket fruta-perimeve kemi një rënie prej 38 milionë lekë që është diferenca nga viti 2020. Kemi rritje të produkteve të përpunuara dhe kjo është një shenjë e mirë për bujqësinë shqiptare. Në aspektin e totalit bujqësor ne përsëri jemi me rritje. Kemi 4% rritje të frutave dhe -4% rënie të perimeve. Në vlerë monetare ne kemi eksportuar 5 miliardë lekë. Ti po flet për zarzavatet unë po të flas për bujqësinë. Bujqësia nuk është vetëm zarzavate”, tha Krfica.

KONTROLLI

Për opozitën, ulja e shitjeve për vitin e kaluar ka qenë e ndjeshme dhe se në xhepat e fermerëve mungojë para për të cilat shteti nuk është kujdesur t’i zëvendësoje përmes subvencionimit.

Deputeti Xhelal Mziu tha se: “Viti 2021 ka pësuar një rënie të eksporteve për zarzavatet për herë të parë në 16 vite. Jemi një vend që eksportojmë mbi 70 për qind të qumështit. Nuk kemi një politikë me të cilën ne mund të stimulojmë bizneset bujqësore. Rritja apo dyfishimi i çmimit të plehrave kimike bëri që disa parcela të mos mbilleshin apo të kishim një produkt me kosto të lartë në raport me vendet e tjera, sepse nuk kishim një subvencionim të drejtpërdrejtë në këtë drejtim. Në shumë raste, ligji është kthyer në një barrë të rëndë në qafën e biznesit. Qeveria duhet të shohë shqetësimet e grupeve të interesit dhe të bëhen edhe amendimet përkatëse. Ministria të mos rendë pas penaliteteve, por të kthehet në indikatorin kryesor të stimulimit të bujqësisë”. 

Nga ana e saj, ministrja Frida Krifca u shpreh se kontrolli ndaj fermerëve po rritet vetëm për të rritur sigurinë ushqimore.

“Po rrisim kontrollin në fermë jo për t’ia vështirësuar jetën fermerit, ne duam t’ia thjeshtojmë për të rritur sigurinë ushqimore. Ndryshimet e ligjit po bëhen për të rritur kontrollin në fermë sa i përket përdorimit të pesticideve nëpërmjet futjes së fletores së fermerit në mënyrë që të dimë çfarë ndodh në fermë dhe të kemi një garanci për rritjen e eksporteve. Të orientojmë fermerët, t’i edukojmë ata se çfarë protokollesh duhet të përdorin në fermë, por edhe t’i japim autoritet kombëtar të mbrojtjes së bimëve dhe veterinarisë fuqinë ligjore që të shkojë dhe kontrollojë një fermë, gjë që nuk e ka.

Me VKM-më më 29 shtator, kemi ndaluar tregtimin e produkteve të mbrojtjes bimore që nuk janë të përfshira nga BE-ja. Në Shqipëri mund të tregtohen vetëm sipas listës së Bashkimit Europian. Po bëjmë kontroll në të gjithë farmacitë bujqësore dhe depot që të sigurojmë që ky plan është i ezauruar dhe këtu kemi kthyer një plan të ri. Kemi kthyer një faqe të re. Duam të kemi kontroll më të lartë të respektimit të protokolleve në fermë”, tha ministrja e Bujqësisë.