“Udhëheqësit të zgjedhin mes qytetarëve apo kriminelëve”, Rama i përgjigjet Yuri Kim: E refuzoj kategorikisht këtë gjuhë

VALENTINA MADANI/ Kryeministri Edi Rama pranon se në Shqipëri pastrohen paratë, por sipas tij është e pavërtetë që pastrimi i parave në vendin tonë është kaq masiv sa thuhet.

Kreu i qeverisë shpreh bindjen se raportet e fundit për pastrimet e parave janë bërë nga njerëz anonimë që financohen nga institucione të ndryshme. Rama deklaroi mbrëmë në emisionin “Now” në “Euronews Albania” se proporcionet nuk janë ato që thuhen. “Ku nuk pastrohen para, në cilin vend të botës? Dini ndonjë vend të botës që nuk pastrohen para. Para pastrohen kudo, por ama është e pavërtetë që këtu në Shqipëri, pastrimi i parave është kaq masiv sa të flitet për 1.3 miliardë nga ndërtimi. Këto janë shifra të dala nga raporte të njerëzve anonimë që financohen herë nga një institucion herë nga tjetri, por nuk qëndrojnë.

Këto dëmtojnë vendin tonë por nuk qëndrojnë. Unë nuk them që nuk pastrohen para por proporcionet nuk janë ato që thuhen”, tha Rama. Pak ditë më parë, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim deklaroi se udhëheqësit duhet të zgjedhin kush e ka në dorë vendin, kriminelët apo qytetarët dhe se paratë e pista bëhen pallate e resorte turistike. Por, Kryeministri refuzoi të japë një përgjigje në lidhje me deklaratën e ambasadores amerikane.

Në një intervistë për emisionin “Now” në “Euronews Albania”, Rama u shpreh se nuk mund të hidhet baltë për 99% të shqiptarëve, për faktin se 1% është e lidhur me botën e krimit. “E para, unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë që udhëheqësit duhet të zgjedhin kush duhet ta qeverisë këtë vend, qytetarët apo kriminelët. Për sa më takon, si udhëheqës i këtij vendi, e kam bërë zgjedhjen me kohë.

E kam bërë zgjedhjen kur kam dalë kundër regjimit komunist, e kam bërë zgjedhjen kur kam hyrë në politikën shqiptare dhe e bëj zgjedhjen time çdo ditë, nuk kam asnjë dilemë për këtë. Nga ana tjetër, të akuzosh ‘unblock’, nuk ndihmon fare qytetarët, nuk ndihmon fare luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave, por përkundrazi, krijon një mjegull të madhe ku të vetmit përfitues janë kriminelët dhe pastruesit e parave. Për 1% të shqiptarëve që janë të lidhur me botën e krimit, nuk mund të hidhet baltë mbi 99% të tyre, as jashtë dhe as brenda”, theksoi Edi Rama.

NDËRTIMET

Kryeministri Edi Rama foli për ndërtimet pa leje në Tiranë dhe aksionin e qeverisë për të goditur këto parregullsi. I pyetur se pse janë lejuar që në fillim ndërtimet pa leje, Rama theksoi se inspektimet e para kanë problematikat e saj. Sipas tij, inspektimet me sy kanë probleme pasi mund të futet edhe korrupsioni në mes.

“Ajo ndërtesa në mes të Tiranës ka pasur gjobë, sepse ligji thotë që në momentin kur konstatohet një metër katror jashtë lejes, në atë moment vendoset gjoba dhe çohet autori në ndjekje penale. Ka ndodhur dhe çuarja, nuk ka ndodhur ndjekja penale. Një gjobë aq e qartë, merret nga një gjykatës dhe e bllokon. Denoncimi në Prokurori ka përfunduar në një sirtar. Me evazionin fiskal, ka shumë raste në tatime e dogana, me ndërtime pa leje dhe çfarë ndodh me këto dosje.

Fillon një pazar dhe gjithë biznesmenët shkojnë bëjnë pazare. Qeveria ka vullnetin për të bërë këtë luftë deri në fund. Kur kemi filluar procesin qeverisës, kemi pasur 10-fishin e ndërtimeve pa leje. Tani janë mjaftueshëm godina për t’u goditur. Askush nuk do gëzojë asnjë metër katror pa leje me qëllim fitimi. Bëhet fjalë për atë shtresë të drejtësisë që nuk është kapur nga fshesa, ende drejtësia ‘kap ça të kapësh’. Inspektorët kanë detyrën ta ndjekin në fillim.

Inspektimi me sy ka problematikën e vetë, ku hyn edhe korrupsioni. Nuk shpjegohet ndryshe. Nëse shteti shqiptar do kishte arritur në atë perfeksion, do flisnim ndryshe. Duhet avancuar duke marrë mësime nga hapat e mëparshme. Pallate të tilla në Tiranë kanë qenë të gjithë. Unë kam qenë kryetar bashkie dhe kam hapur luftë me 4 pallate pa leje. Të gjitha ato pallate të bëra në atë kohë, kanë qenë me kate pa leje. Ka qenë një fenomen që nuk është më fenomen. Akti noterial është marrja nga shteti që e bën të pamundur ndërhyrjen e gjykatësit”, deklaroi Rama.

AMNISTIA

Edi Rama nuk i sheh si kritika shqetësimet e ndërkombëtarëve për projektligjin e amnistisë fiskale. Kryeministri shprehet se këto nuk janë qëndrime kundër. Kryeministri deklaroi se partnerët ndërkombëtarë kanë rezervat e tyre, ndaj dhe Shqipëria po punon për adresimin e tyre. “Ne s’kemi kundër asnjë institucion ndërkombëtar dhe asnjë partner ndërkombëtar. Asnjë nuk është kundër, të gjithë kanë rezervat e tyre. Janë dy gjëra të ndryshme. Ne jemi duke diskutuar me ta dhe ata kur ulen në tavolinë me ne, nuk thonë që ne jemi kundër, nuk diskutojmë dhe po ikim.

Ata ulen në tavolinë me ne dhe thonë kemi këto rezerva, janë çështje të natyrës teknike. Ne mundohemi të adresojmë ato rezervat e tyre. Unë e kam thënë shumë qartë, ne jemi gati të adresojmë të gjitha rezervat, por nuk do pranojmë kurrë një kundërshtim, që Shqipëria, shqiptarët nuk e bëjnë dot prej krimit. Sepse dakord këtë ja kemi bërë veten ne si shumë të mirë që jemi me njëri tjetrin duke e bërë Shqipërinë si vend të drogës. 1% e shqiptarëve që merren me krime në botë, nuk mund të njollosin 99% të popullsisë tjetër”, theksoi ai.

Rama komentoi se pse nuk ishte i pranishëm në takimin e zhvilluar pak ditë më parë me ambasadorët e huaj në Tiranë për amnistinë fiskale. Kryeministri pohoi se në takim ishin të gjithë përfaqësuesit e duhur të qeverisë së bashku me ekspertët. Rama gjithashtu tha se ky ishte një takim pune dhe jo një ftesë publike për median dhe popullin. “Në takim ishin të gjithë përfaqësuesit e nevojshëm të shoqërisë dhe partisë në pushtet. Ishte grupi parlamentar, Ministria e Financave dhe ekspertët. Nuk kam bërë ndonjë ftesë publike për mediat dhe popullin që të jenë pjesë e takimit. Ky ka qenë takim pune dhe këto janë përralla për të mbushur parcelën e kopshtit të ushqimit mediatik të përditshëm. Ai ishte një takim pune, as e kam bojkotuar”, deklaroi Rama.

ENERGJIA

Kryeministri Edi Rama, tregoi arsyet që mund t’i rikthehemi sërish fashës së çmimeve të energjisë Rama theksoi se në momentin që konsumi i energjisë kalon përtej një niveli të caktuar atëherë nevoja për subvencionim rritet, e për pasojë është e nevojshme t’i rikthehemi dhe fashës së çmimeve. “Ne kemi bërë të gjitha analizat dhe konsultimet e nevojshme. Duke marrë parasysh se në të gjitha rastet çmimi i energjisë që shkon te familjarët dhe te bizneset e vogla është i subvencionuar, e kemi shumë të qartë se çka duhet të bëjmë ne për ta subvencionuar.

Në momentin kur konsumi kalon përtej një niveli të caktuar dhe nevoja për subvencionim rritet atëherë është e nevojshme që t’i rikthehemi fashës. Nuk është një shpikje e jona, Kosova fashën 800 KW e ka prej kohësh. Kjo është një çështje që lidhet me domosdoshmërinë për kursim dhe domosdoshmërinë për të balancuar nga njëra anë nevojën për t’i ndenjur pranë të gjitha familjeve me domosdoshmërinë që kush konsumon më shumë duhet të paguajë më shumë”, theksoi Rama.

NDIKIMI

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, nuk ka ndikuar në vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit dhe kopshtit turk, teksa shtoi se ai nuk mund të japë urdhra në një vend sovran. Rama u shpreh se Erdogan ka bërë një kërkesë dhe në rastet konkrete, është vepruar sipas ligjeve në vend. “Këtu në Shqipëri ka shumë institucione që i përkasin të gjithë këtij zinxhiri. Presidenti Erdogan nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe nuk jep asnjë urdhër. Nuk e jep dot në një vend sovran. Nuk është urdhër, por një kërkesë, historike.

Nga ana tjetër, ka qenë një kërkesë që është bërë gjithmonë dhe ne ndërkohë, kemi vepruar sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Nuk kemi vepruar sipas opinioneve apo spekulimeve që bëhen këtu, por si pas ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi kreu i qeverisë. Edi Rama deklaroi se vendimi për mbylljen e kolegjit turk, “Mehmet Akif” erdhi për shkak se aktiviteti i këtij institucioni arsimor, po kryhej në një godinë, për të cilën nuk kishte marrë miratimin e Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, ky kolegj ka vepruar në shkelje të ligjit. Rama u shpreh se mbyllja e kopshtit turk, “Zubeyde Hanim”, u bë pasi nuk plotësoheshin standardet./Panorama