Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK ka përfunduar sot procedurat e shpalljes në kërkim ndërkombetar për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Ditën e enjte, më 7 tetor, Policia e Tiranës iu përgjigj me një shkresë zyrtare SPAK-ut ku e informonte se ish-Kryeprokurori Llalla nuk është gjetur për t’u arrestuar.
Pavarësisht kërkimeve, çdo tentativë e Policisë ka rezultuar e pasuksesshme.
Policia tha se ka bërë të gjitha verifikimet me metoda speciale, por nuk e ka gjetur, ndaj dhe i kërkoi SPAK-ut të niste procedurat për ta shpallur Llallën në kërkim ndërkombëtar.
Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, për të cilin është firmosur një urdhër arresti më 22 shtator, ditën kur Apeli i dha formë të prerë vendimit të dënimit të tij me 2 vite burg, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria më 9 shtator.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS, ai është larguar nga Rinasi në drejtim të Italisë, por nuk dihet se cili ka qenë destinacioni i tij përfundimtar.