Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e ishtruprojës së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për gjykim të shkurtuar.
Në seancën paraprake, kur dosja kaloi për gjykim, Hekuran Marku kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua këtë të hënë nga GJKKO, çka do të thotë se ai përfiton automatikisht uljen e një të tretës së masës së dënimit në përfundim të procesit gjyqësore.
Ai akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal bashkë me ish-zyrtarë dhe persona të tjerë. Marku u ekstradua nga Gjermania më 7 maj të këtij viti pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë Speciale. Emri i tij ishte mes dhjetëra personave të akuzuar në kuadër të operacionit të koduar “Shpirti”.
Si pasojë e këtij operacioni janë vendosur rreth 30 persona, të cilët akuzohen për trafikim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Mes tyre janë edhe pesë funksionarë publik, duke filluar nga prokurori i Vlorës, Maksim Sota dhe Ilirjan Balla, ish-shef i trafiqeve në Policinë e Shtetit, Artur Krasniqi, Festim Lelaj, funksionarë shtetërorë të gjithë të akuzuar për shpërdorim detyre.
Mes akuzuarve ishte edhe ish-truproja tjetër i Tahiri, Agustin Deta, i cili u arrestua në Francë. Të dy janë të dyshuar si i përfshirë në “skemën” e trafikut ndërkombëtar të kanabisit që grupi kriminal i drejtuar nga Ilirjan Duçellari. Ata akuzohen për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.