U arrestua pas ndjekjes me këmbë e dron nga policia, lirohet pas disa ditësh vrasësi (Arsyeja)

Gjykata e Vlorës ka liruar shtetasin Hair Breshanaj, i arrestuar të shtunën për një vrasje me thikë të ndodhur në vitin 1998.

“Në vijjm të operacionit policor të koduar “Vrina”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ekzekutimi i urdhërit të ri të prokurorisë datë 23.07.2022, ora 20:00, për lënien të lirë të shtetasit Hair Breshanaj, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë konstatoi parashkrimin e dënimit me burgim të caktuar, ndaj këtij shtetasi. Shtetasi Hair Breshanaj është lënë në gjendje të lirë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Por, kush është 62-vjeçari dhe si u kap nga policia pas ndjekjes me këmbë dhe dron?

Mësohet se 62 vjeçari Hair Breshanaj, prind i dy fëmijëve, prej rreth 15 vitesh banonte në fshatin Vrinë. Bënte një jetë të mbyllur dhe i pa ekspozuar në fshat, madje shumë prej tyre edhe nuk e njihnin.
Po ashtu mësohet që ai prej disa vitesh shkonte në Greqi për të punuar. Në të gjitha rastet ai nuk ka qenë i pajisur me dokumente për në shtetin grek. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim 22 vite më parë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 21.12.2000, e ka dënuar atë me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi për motive të dobëta ka vrarë me thikë Nustret Nanaj.

Policia e Sarandës, kishte disa ditë që survejonte lëvizjet e tij.  Sot pas informacionit se ku ndodhej 62 vjeçari Hair Breshanaj, policia e Komisariatit Sarandë në bashkëpunim edhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat e DVP Vlorë, vunë në zbatim operacionin  e koduar “Vrina”. Operacioni ka nisur rreth orës 05.00 të mëngjesit të sotëm.

Fillimisht, 62-vjeçari u kërkua në këmbë, pasi u mor vesh se i shumëkërkuari nuk ndodhej në banesë, u vu në lëvizje edhe droni për të zbuluar saktë vendndodhjen e Breshanaj.

Ai u kap në një mal afër lumit në kufi me Greqinë, ku ai merrej me kullotje të disa krerëve lopë. Mësohet se pas thirrjes së policisë se ishte i arrestuar nuk ka bërë fare rezistencë, ndërsa është dorëzuar menjëherë.