Trupat serbe vranë burra dhe djem myslimanë, sot 27 vite nga masakra e Srebrenicës

Mijëra njerëz pritet të ndjekin sot ceremonitë përkujtimore të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës. Eshtrat e 50 viktimave, të gjetura së voni, do të varrosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth. Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç.

 

 

 

 

 

Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”. Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.

Ligji ka shkaktuar zemërim te serbët e Bosnjës, që udhëhiqen nga Millorad Dodik, njëherësh anëtar i Presidencës trepalëshe tw kwtij vendi.

Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Dodik ka nisur procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri.

Në prag të shënimit të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se në Srebrenicë, “Evropa ka dështuar”.

 

 

“Është më shumë se kurrë detyra jonë që të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës… të ngrihemi për të mbrojtur paqen, dinjitetin njerëzor dhe vlerat universale”, kanë thënë ata.

Misioni i të mbijetuarit të Srebrenicës për të gjetur trupat e viktimave

“Ende sot, ne nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”, kanë thënë Borrell dhe Varhelyi, duke përmendur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

“Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë, sjellin kujtime të gjalla të atyre që kanë ndodhur në luftërat e Ballkanit Perëndimor në vitet 1990”, kanë thënë dy diplomatët e lartë evropianë.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura./Rel