SHBA- Presidenti Donald Trump, refuzon të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale. Edhe pse demokrati Joe Biden është projektuar si fituesi i mbi 270 votave elektorale, Trump duket se nuk do ta pranojë atë që ka ndodhur.
Sipas tij, zgjedhjet janë manipuluar dhe janë numëruar “vota të paligjshme”. Me anë të një deklarate, Trump shprehet se Biden po “pozon si fitues në mënyrë të gënjeshtërt” dhe se “aleatët në media po mundohen shumë fort ta ndihmojnë”.
“Të gjithë e dimë përse Joe Biden po nxiton të pozojë në mënyrë të gënjeshtërt si fitues dhe përse aleatët e tij në media, po mundohen shumë fort ta ndihmojnë: ata nuk duan të ekspozohet e vërteta! Fakti i thjeshtë, është se këto zgjedhje nuk kanë përfunduar. Joe Biden nuk është çertifikuar si fitues në asnjë shtet, jo më në ndonjë nga shtetet e kontestuara, në të cilat do të ketë rinumërimi të detyrueshëm… Votat e ligjshme vendosin kush do të jetë president dhe jo media“, shkruan ndër të tjera Trump.
Pak përpara kësaj deklarate, Trump ka thënë në rrjetet sociale, se ai i ka fituar thellë zgjedhjet. Por poshtë postimit të tij, siç mund ta shihni, Facebook ka vendosur një shënim ku thuhet se Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve.
Edhe pse presidenti ka këtë qëndrim, që vë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve, në kampin republikan shumë mendojnë se ai duhet të pranojë humbjen dhe braktisja e Trump nga partia, duket se ka nisur.
Joe Biden ka reaguar pak më parë në rrjetin social Twitter, me një mesazh të shkurtër për amerikanët dhe një video, që e shoqëron këtë mesazh. Biden do të mbajë edhe fjalimin e fitores ditën e sotme.
“Amerikë, jam i nderuar që më keni zgjedhur për të udhëhequr vendin tonë të jashtëzakonshëm. Puna që kemi përpara është e vështirë, por unë ju premtoj këtë: Unë do të jem president për të gjithë amerikanët – nëse votuat apo jo për mua. Unë do ta ruaj besimin që më keni dhënë”, shkruan Biden.
Njëkohësisht ka reaguar edhe zëvendëspresidentja e ardhshme, Kamala Harris.
“Këto zgjedhje janë shumë më tepër se sa unë dhe Joe Biden. Ka të bëjë me shpirtin e Amerikës dhe vendosmërinë tonë për të luftuar për të. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë!”. shkruan Harris./Tpz