Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Medicines”. Tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara, që i mbante në banesë, vihet në pranga 52-vjeçari.
Sekuestrohen medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, dhe një shumë parash.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante në banesën e tij, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medicines”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilirjan Mërkuri, 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasja M. G., 47 vjeçe, banuese në Tiranë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Medar Shtylla”, gjatë momentit që shtetasja M. G. po i blinte një sasi medikamentesh shtetasit Ilirjan Mërkuri.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ilirjan Mërkuri, në Komunën e Parisit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, dhe një shumë parash.