“Titulli sërish i Tiranës”, mesfushori Kavajas Regi Lushkja flet si bardheblu: Ishte një zgjedhje që e ndjeva me zemër

Futbollisti Kavajas Regi Lushkja ishte blerja e parë për Tiranën këtë merkato dimri. Lojtari, i cili la Moldavinë për kampionatin shqiptar, pranoi për “Panorama Sport” se mori vendimin i ndikuar nga fakti se Tirana është skuadra më e madhe në Shqipëri. Lushkja pranoi Tirana e mbron titullin kampion, ndërsa foli edhe për kundërshtarët që skuadra bardheblu ka në kampionat.

Regi Lushkja përse zgjodhët të ktheheshit të luanin në Shqipëri dhe të firmosnit për Tiranën?

Ishte një zgjedhje që e ndien me zemër. Kjo sepse Tirana është skuadra më e madhe në Shqipëri dhe kjo është arsyeja që vendosa të bashkohem me Tiranën në këtë kampionat.

Gjatë këtyre ditëve keni pasur oferta nga shumë skuadra, Partizani, Egnatia. Është e vërtetë?

I vërtetë është ky fakt. Kishte shumë inter esim nga të gjitha këto ekipe në fjalë. Ishin të interesuar për shërbimet e mia, por siç e thashë më parë vura Tiranën përpara për disa arsye.

Vini te Tirana, por zëre se keni gjetur shokët e skuadrës që më parë i keni pasur te Laçi?

Te Tirana gjej shumë shokë që kemi luajtur bashkë me vite me radhë, si Xhixha, Deliu, Lulaj apo të tjerë. Nga ana tjetër edhe futbollistët e tjerë i njoh shumë mirë. Njoh kualitetet e tyre dhe më kanë pritur shumë ngrohtë. Si lojtarët, si stafi, trajnerët dhe presidenti i skuadrës. Deri diku pati ndërhyrje edhe nga këta djem për të qenë pjesë e Tiranës.

Te Sherifi kishin hequr të huajt. Pyetja më e thjeshtë është çfarë ndodhi me aventurën në Moldavi?

Të them të drejtën, në Moldavi te Sherifi kam parë një politikë ndryshe. Afrojnë shumë lojtarë dhe po kështu largojnë shumë lojtarë. Plus kishte edhe çështje të tjera. Nuk më pëlqenin sesi funksiononin gjërat dhe prandaj zgjodha të largohem.

Ju bashkoheni me Tiranën, por në mesfushë, janë edhe Kallaku, Limaj, Qefalija dhe Hila. Konkurrencë goxha e madhe?

Konkurrenca është gjë e mirë për ekipin. Rrit konkurrencën në klub, mes lojtarëve. Mendoj se konkurrenca është e shëndetshme për çdo skuadër futbolli.

Tirana është kampionia në fuqi e Superiores. Si e shihni skuadrën e Tiranës tani nga afër?

Tirana është kampionia në fuqi. Pretendon që të dalë kampion dhe qëllimi kryesor i saj është titulli kampion.

Cilat nga skuadrat e Superiores shihni rivale të Tiranës për titullin kampion?

Përveç Partizanit, i cili është në vendin e parë, dua të veçoj ekipin e Egnatias. Rrogozhinasit kanë një grup shumë të mirë. Po kështu edhe Laçi është një skuadër për t’u vlerësuar. Gjithmonë do të jetë aty në vendet e para në ngjitje dhe pse jo për titull. Tirana mund t’ia dalë që të fitojë tre trofetë që janë në lojë. Kontingjentin e lojtarëve i ka. Stafin drejtues e ka shumë të mirë, po kështu edhe trajneri. Të gjitha mundësitë i kemi, tani jemi ne ata që duhet të bëjmë punën tonë.

I keni para ndeshjet e Tiranës deri në dhjetor. Çfarë mendimi keni për bardheblutë?

E kam ndjekur deri diku dhe u qëndroj fjalëve që skuadra është shumë cilësore.

Do të luani me Laçin, ish-skuadrën tuaj të fundit në Shqipëri?

Ekipi kurbinas është një nga më të fortët në kampionat dhe do të jetë gjithmonë i tillë. Kam qenë kapiten i Laçin për disa vite. Kam shumë respekt për ta. /Panorama Sport