“Nëse unë vdes, ky është vullneti i Zotit. Atëherë unë jam larguar nga kjo botë dhe shpejt do të harrohem. Kështu shkojnë gjërat”, këto ishin disa nga fjalët e Rafael Duamenës në një intervistë për median zvicerane “NZZ” më datë 19 tetor 2022.
Ai parashikonte se njerëzit janë shumë të zënë dhe një ditë do të harrohet, por mesa duket ka gabuar. Të paktën në Rrogozhinë nuk e kanë harruar, madje në çdo ndeshje ai është i pranishëm në një baner, që shpaloset në çdo stadium ku skuadra luan. Të dielën e 26 majit shokët e tij do të kenë misionin për të përmbushur objektivin e titullit kampion, por edhe amanetin e Duamenës.
Më 11 nëntor të vitit të shkuar, pikërisht në një ndeshje mes Egnatias dhe Partizanit, një nga sulmuesit më të mirë që kanë zbarkuar ndonjëherë në vendin tonë, ra befasisht në barin e stadiumit të Rrogozhinës, për të mos u çuar më. E gjithë bota i bëri jehonë ndarjes nga jeta në moshën 28 vjeçare të një prej lojtarëve më premtues të futbollit ganez, të cilin zemra e “tradhtoi”.
“Nuk ka mungesa tek Egnatia”, ishte titulli i një prej shkrimeve të djeshme në gazetën tonë. Në fakt ka një mungesë të madhe dhe ai është pikërisht Rafael Duamena. Një njeri për të cilin fjalët e mira u vijnë nga zemra atyre që e njohën dhe një futbollist me të cilin Egnatia do të hynte favorite në ndeshjen e së dielës kundër Partizanit.
Shokët duhet të luajnë edhe për të…