“Ti je zyrtari që do zhbllokoje paratë e mafias italiane”, Braçe përgjigjet me lot në sy, zë të dridhur dhe përplas mikrofonin

Akuza e Ervin Salianjit ndaj Erjon Braçes se ishte ai zv.kryeministri që do të ndërhynthe në “Alfa Bank” për të zhbllokuar 19 milion euro të mafias italiane kanë shkaktuar tensione në sallën e Kuvendit. Menjëherë pas kësaj akuze ndërhyri Braçe, i cili tha se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se Salianji po gënjente.

“O pleh”, i tha Braçe-Salianjit, kurse ky i fundit e quajti “kone”.

Duke shkëmbyer akuza të ndërsjellta deputetët humbën edhe qetësinë duke shkuar drejt një përplasjeje fizike, gjë që bëri Nikollën të ndërpresë seancën.

Fill pasi rifilloi seanca, Braçe tha se nuk ka patur asnjëherë lidhje me Rezart Taçin dhe aq më pak me mafian italiane.

Në këtë sallë ka shpifës të dënuar nga gjykata, madje jo të dënuar, por komplotues në nder dhe dinjitetin e njerëzve. Dokumenti i përgjimit të Rezart Taçit, mban datën 18 tetor 2021, në atë kohë unë s’kam qenë zv.kryeministër, por në 9 shtator unë kam qenë vetëm deputet në këtë sallë.

Në këtë sallë unë e di që ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza, unë do t’ua tregoj që ka njerëz që paguhen. O kam folur unë për privatëzimin, për transaksionet e Armos dhe të gjithë ngjarjet që kanë pasuar ato, nuk ka folur kush në këtë sallë. Jo vetëm kam folur por dhe kam kallëzuar në prokurori. 

Unë dhe Rezart Taçi s’kemi këmbyer asgjë, as telefonata asgjë, unë kurrë nuk kam shkelur në televizionin e tij, por do e provoj dhe këtë, faleminderit për zyrën që më keni dhënë por është plot me dosje deri në tavan”, tha Braçe, ndërsa nuk mund të fshihte zërin që i dridhej dhe sytë e përlotur. Në fund të fjalës Braçe përplasi edhe mikrofonin.

Pas kësaj, Salianji tha se Braçe duhej të jepte llogari edhe për krimet që po ndodhin në Karavasta dhe gjetkë, ku sipas tij, Braçe është i përfshirë gjithashtu.

Përgjimet

Prokuroria italiane ka nisur një hetim për pastrim të 19 milion euro të mafias “Cosa Nostra” në Shqipëri nëpërmjet dy personazheve, të cilët sipas autoriteteve atje, në komunikim me Rezart Taçin dërguan në një llogari bankare në “Alpha Bank” shumë në fjalë. Përfaqësuesit e mafias italiane erdhën disa herë në Shqipëri dhe shkëmbyen mjaft telefonata me njeri-tjetrin duke folur edhe për përfshirjen e disa ministrave, madje edhe të zv.kryeministrit shqiptar për të mundësuar zhbllokimin e këtyre parave nga llogaria bankare.

Prokuroria italiane nuk shprehet me emër se për cilin politikan shqiptar flasin përfaqësuesit e mafias italiane, ndërsa në përgjime nuk ka ndonjë telefonatë mes tyre dhe zyrtarit shqiptar apo mes Rezart Taçit dhe ndonjë politikani shqiptar.