Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, kthehet në Australi si një “njeri i lirë”

Një Julian Assange “i qetë dhe i lirë” është kthyer në shtëpinë e tij në Australi pas 14 vitesh ndalimi për akuzat për spiunazh nga SHBA-ja.

Assange, themelues i WikiLeaks, pranoi fajësinë për një akuzë të rëndë, duke i dhënë fund një bllokimi prej vitesh me qeverinë amerikane.

Sipas WikiLeaks, avioni i tij u ul në Canberra mbrëmë vonë.

Sot herët, Assange u paraqit në një sallë gjyqi në territorin e ishullit amerikan Saipan në Paqësor pranë Australisë, vendlindjes së tij.

Assange pranoi fajësinë për një akuzë të rëndë për shkelje të Aktit të Spiunazhit pasi u akuzua për marrjen dhe publikimin e dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe diplomatike në vitin 2010.

Teksa hynte në sallën e gjyqit me një kostum të zi, themeluesi i WikiLeaks nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Gazetarët që mbulonin ngjarjen thanë se Assange ishte “i qetë”.

Jashtë sallës së gjyqit, avokati amerikan i Assange-s, Barry Pollack tha se besojnë me vendosmëri se “Assange nuk duhet të ishte akuzuar kurrë në bazë të Aktit të Spiunazhit”.

“Julian del nga gjykata federale e Saipan-it si një njeri i lirë. Nuk mund të ndalem së qari”, shkroi në rrjetet sociale gruaja e tij, Stella Assange.

Ai u lirua të hënën nga burgu i sigurisë maksimale në Belmarsh pas lirimit me kusht nga Gjykata e Lartë në Londër para se të nisej në një fluturim në aeroportin “Stansted” në orën 17:00 me kohën lokale.

Avioni i Assange-s u ul dje në Aeroportin Ndërkombëtar “Don Mueang” në kryeqytetin tajlandez Bangkok për t’u furnizuar me karburant para se të nisej për në Saipan.2/AA