Thellohet më tej skandali i evazionit fiskal të inceneratorëve ku një tjetër çift të moshuarish figurojnë se kanë kryer transaksione miliona euro me kompani të lidhura me impiantet e përpunimit të mbetjeve.
“Syri TV” ka publikuar një bisedë telefonike të zhvilluar me zonjën Ruzhdije Meta nga Lezha, e cila ka treguar se vetëm mbrëmë e ka marrë vesh se emri i saj figuron në listën e pronarëve të kompanive të inceneratorëve. Ajo shprehet se nuk njeh asnjë nga emrat e përmendura në këtë skandal.
“Jo, jo, nuk i njoh fare. Nuk dimë asgjë fare. Tani do gjejmë kush janë ata njerëzit dhe të dimë si të reagojmë. Unë mbrëmë e kam parë, jam pa gjumë gjithë natën, nuk e di”, tregon zonja. Për më tepër, Ruzhdije Meta tregon se ajo jeton me bashkëshortin, Shkëlqim Meta, në apartamentin e vëllait të saj, pasi banesa e saj e mëparshme është shembur. “Aman, mos e pyet, ne jemi pa shtëpi moj zemër. Ne nuk kemi shtëpi, jo biznes. Ne rrimë te vëllai im, na ka strehuar ai se na është shembur shtëpia. Ne nuk kemi shtëpi e jo më të jemi biznesmenë. Ne s’kemi bukë të hamë”, tregon Ruzhdije Meta.
Intervista
Gazetarja: Përshëndetje, si jeni? Me zonjën Ruzhdije Meta po flas?
Ruzhdije Meta: Po.
Gazetarja: Desha t’ju pyes nëse jeni në dijeni që keni dalë si biznesmene e një kompanie për inceneratorët?
Ruzhdije Meta: Po, e kam parë në televizor.
Gazetarja: Kishit dijeni ju për këtë?
Ruzhdije Meta: Jo, nuk dinim asgjë.
Gazetarja: A dyshon që mund të të ketë marrë dikush ndonjë kartë ID, ndonjë numër?
Ruzhdije Meta: Nuk e di, çfarë s’po bëhet në këtë dynja.
Gazetarja: Apo keni firmosur diçka?
Ruzhdije Meta: Jo, jo
Gazetarja: Shkëlqim Meta është bashkëshorti juaj?
Ruzhdije Meta: Po, po.
Gazetarja: Domethënë, ju që të dy, Shkëlqim Meta dhe Ruzhdije Meta keni dalë si biznesmenë. Edhe për burrin tuaj e keni marrë vesh?
Ruzhdije Meta: Aman, mos e pyet, ne jemi pa shtëpi moj zemër. Ne nuk kemi shtëpi, jo biznes. Ne rrimë te vëllai im, na ka strehuar ai se na është shembur shtëpia. Ne nuk kemi shtëpi e jo më të jemi biznesmenë. Ne s’kemi bukë të hamë.
Gazetarja: Sa veta jeni në familje?
Ruzhdije Meta: Vetëm ne të dy jemi, burrë e grua.
Gazetarja: Po si jua kanë marrë të dhënat, a keni ndonjë dyshim?
Ruzhdije Meta: Nuk dimë asgjë. Po kartat tona nga nuk po shkojnë. Ku u gjetën ato të partive që dolën njëherë.
Gazetarja: Për patronazhistët e keni fjalën?
Ruzhdije Meta: E kur dolën lloj-lloj të dhënash karte ID, atëherë s’e di.
Gazetarja: Ata emrat që kanë dalë nuk e di i keni parë në televizor, që ju kanë përfshirë?
Ruzhdije Meta: Nuk njoh asnjeri aty.
Gazetarja: Dashamir Ymeraj e njeh?
Ruzhdije Meta: Jo, jo.
Gazetarja: Eneidi Zeqo, e njeh?
Ruzhdije Meta: Jo, jo nuk i njoh fare. Nuk dimë asgjë fare. Tani do gjejmë kush janë ata njerëzit dhe të dimë si të reagojmë. Unë mbrëmë e kam parë, jam pa gjumë gjithë natën, nuk e di.
Gazetarja: Keni menduar ta hidhni në gjyq?
Ruzhdije Meta: Të shikojmë njëherë. Të gjejmë kush janë njerëzit, pastaj të bëjmë diçka.
Gazetarja: Ju nuk keni shtëpi apo jo? Jetoni te vëllai?
Ruzhdije Meta: Unë jetoj te vëllai, kam pasur shtëpinë në Laprakë, por ma ka shembur shteti dhe nuk kam shtëpi, jam pa shtëpi.