Nga: Osman Stafa
Terrorizmi nuk ka komb e as fe. I keqardhur për aktin terrorist të ndodhur në Vjenë. Nuk më shqetëson fakti se autorët dolën me origjinë shqiptare, sepse jam i sigurtë së çdo SHQIPTAR mysliman, katolik, ortodoks, ateist, nuk do mund të kryente kurrë një akt të tillë, përveç se ekstremistëve. Të qënit ekstremist në një ide, besim, është e rrezikshme, sepse baza e të menduarit nuk është më arsyeja, por injoranca.
Një mysliman nuk mundet të vrasë kurrë njerëz të pafajshëm, për hir të Zotit. Nuk mundet se vetë Libri i Shenjtë i Kuranit, thotë se nëse ti vret një të pafajshëm, është sikur të kesh vrarë gjithë njerëzimin. E për këtë s’mund të kesh faljen e Zotit. Jo këtë s’mundet ta bëj një mysliman, por veç një ekstremist, që është një rrezik për të gjithë shoqërinë, pa dallim.
Po atëherë pse një person, që thërret emrin e Zotit, pretendon se po vret në emër të tij? Dhe pse shqiptar? Mbeti islami me miliarda ndjekës në të gjithë botën, të mbrohet nga shqiptarët?
Injoranca, mendimi jo i thelluar dhe i cekët, mosarsyetimi, varfëria, bëjnë që një hoxhë me bindje ekstemiste, të bëj çfarë të dojë me ndjekësit e tij. Madje kemi pasur raste edhe në Shqipëri, të ekstremistëve që bënin thirrje për të shkuar në luftë në Siri. Por më shqetësuese e shikoj situatën në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku numri i shqiptarëve që iu bashkuan ISIS, ishte i konsiderueshëm.
Shumë të rinj, pas viteve 90’ shkuan nëpër vende të ndrshme të Lindjes së Mesme, për të mësuar atje, besimin në Zot, e për të ushqyer shpirtin e besimtarit, kur të riktheheshin. Por kur erdhën, (jo të gjithë hoxhallarët) sollën me vetë edhe mënyrën e jetesës së fesë së atij vendi, problemet e atjeshme dhe ekstremizmin në mënyrën e jetesës së një besimi. Këtu u bë shkëputja nga Islami që është aplikuar në Shqipëri, përpara se komunizimi ta shpallte fenë të ndaluar. Besimi në Islam nuk është jetuar përpara komunizimit, siç u reklamua pas viteve 90’, kur gratë mbulonin edhe sytë me burka, apo burrat mbanin pantallona të shkurtra, si formë e devotshmërisë ndaj Zotit. Për mua këto asnjëhërë s’kanë qënë tregues të devotshmërisë ndaj beismit, apo formë që ti e ke zemrën e pastër. Se cili është raporti yt me besimin, atë e di ndërgjegjia jote. Pra këto forma të të jetuarit fenë (burka dhe shkurtimi i pantallonave) u importuan nga vende me tradita të tjera. Kurrësesi s’duhej bërë shkëputja nga Islami tradicional që shqiptarët kanë jetuar. Teologët e asaj kohë, ishin krah për krah me priftërinj, e patriot, për çështjet kombëtare. Ndërsa Islami i importuar nga vendet e Lindjes së Mesme, solli përçarje mes shqiptarëve.
Prandaj sot kemi probleme në Tiranë, Librazhd, Cerrik, Pogradec, Dibër, ku di që feja jetohet në formë ekstreme. E ishin pikërisht këta njerëz, që morën rrugën për në Siri.
Unë kam mësuar dhe jam edukuar me idenë se Islami është fe e paqes, mirësisë, mirëkuptimit, tolerancës, por kurësesi e dhunës dhe e vrasjes. Nëse në një moment do të ishte e tillë, une s’do ta pranoja e s’do e jetoja.
Liria e shprehjes është e garantuar deri kur më cënon të drejtat mua, ashtu sikur edhe një besim, është i lejuar të jetohet, deri kur s’më prek dhe cënon mua. Nëse të dyja e kalojnë cakun, atëherë janë një rrezik për të gjithë. Prandaj mendoj se për të dytën duhet reagim, dhe jo nga ato reagimet që bëhen nëpër ato tryezat e rrumbullakta, apo statuse facebooku, ku nuk prodhohet asgjë. Duhet reagim, KMSH-së së bashku me qeverinë, që ka në dorë instrumente për të pasur një listë të qartë të atyrë që janë rrezik potencial për shoqërinë. KMSH, duhet të punojë fort që këto linja besimi të mos trashëgohen, e të punojë edhe më shumë me këta njërëz, për të rigjetur besimin e paqen shpirtërore që ata kanë nevojë. Duhet menjëhërë, në mënyrë që të mos kemi më shfaqje të tilla nëpër botë, e që vulë të jetë prejardhja shqiptare.
p.s Tre policë me origjinë shqiptare kanë qënë mbrëmë përballë terroristëve. Shqiptarë që ishin në krahun e lirisë, të së drejtës. E po ashtu edhe dy të rinj, të një kombësie tjetër me shumicë myslimane, (turq) që kanë ndihmuar një grua dhe një polic të plagosur. Pra shqiptarët s’kanë pse ndihen fajtor për këtë ngjarje, se NE s’na lidh gjë me terrozimin e aktet barabre. As myslimanët s’kanë pse, se një mysliman, nuk ka lidhje me terrorizmin./Kavaja.Net/