“Të ndahemi prej tij e vështirë”, Presidenti i ‘Hysenbelliu Group’ mesazh të ndjerë për humbjen e të vëllait: S’do na mungojë forca, të çojmë përpara aspiratat e Kasemit


Përmes një mesazhi të ndjerë Presidenti i ‘Hysenbelliu Group’, Irfan Hysenbelliu, shpreh falënderimet në emër të familjes, për të gjithë të afërm, kolegë e të njohur, që i janë bashkuar dhimbjes për humbjen e parakohshme të vëllai të tij, Kasem Hysenbelli.

Mesazh i z. Irfan Hysenbelliu, për ndarjen nga jeta të vëllait Kasëm Hysenbelliu

Të dashur miq dhe të afërm të familjes Hysenbelliu, kolegë dhe bashkëpuntorë të vëllait tim të ndjerë!

Një falenderim kolektiv për të gjithë ju do të ishte shumë pak, për të shprehur mirënjohjen time të thellë për gjithë mesazhet e ngushëllimit dhe mbështetjes që na keni ofruar në këtë ditë dëshpërimi. Situata që po kalojmë më detyron t’ju drejtohem publikisht e t’ju kërkoj ndjesë që s’mund të komunikoj dot me secilin prej jush.

Sot familja humbi Kasëmin, në një dhimbje që s’mund të përshkruhet me fjalë: ne humbëm djalin e përkushtuar e babain model, bashkëshortin ideal e vëllain e pazëvendesueshëm, xhaxhain e dajën e dhimbsur, një njeri zëmërbardhë. Ju, në një solidaritet unikal, na treguat se Kasëmi s’ishte vetëm “i miri i familjes” por edhe një shok e mik i çmuar, drejtues i aftë, koleg e bashkëpuntor i vyer, njeri vizionar e i përkushtuar, mik i të gjithëve.

Faleminderit nga zemra secilit prej jush!

Mua më mungon pafund vëllai im më i vogël, me të cilin kemi kryer përkrah njëri tjetrit gjithë rrugëtimin e kësaj jete, deri sot kur Kasëmi u dorëzua, për të gjetur paqen e përjetshme. Kasëmi iku për të na lënë të gjithëve në trishtimin e mungesës së tij, pa humorin e hollë, e planet e pafundme. Ne nuk zhbëjmë dot asgjë tani, duhet ta pranojmë këtë humbje me virusin vdekjeprurës edhe pse bëmë përpjekjet maksimale që ta shmangnim këtë tragjedi. Por edhe pse s’mundemi ta kemi më fizikisht Kasëmin, asgjë s’do ndryshojë në vazhdimin e misionit të tij. Bashkëshorja dhe fëmijët, gjithë familja e tij e madhe, jemi të gjithë bashkë, për të përjetsuar projektet dhe veprën e tij. Faxnews dhe Faxweb, produktet e shpirtit e mendjes së Kasëmit do të mbështeten pa kursyer asgjë për të përmbushur ëndërrën e Kasëmit, vëllait tim të paharruar.

U prehtë në paqe!