Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me shqetësim të madh në lidhje me skandalin ndërkombëtar për transportin e mbetjeve toksike me origjinë nga Shqipëria dhe një tjetër me vendkalim vendin tonë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku falënderoi mediat investigative që kanë zbuluar këtë çështje, duke theksuar se është e nevojshme një transparencë e plotë dhe përgjegjësi nga institucionet shtetërore.
Tabaku nënvizoi se janë dy ngarkesa të ndryshme të mbetjeve toksike që janë identifikuar deri më tani: njëra me origjinë nga Kosova, që ka përfunduar në Kinë, dhe tjetra me destinacion Tajlandën, e cila ka origjinën nga Shqipëria. Ajo bëri thirrje për sqarime të menjëhershme nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse, duke përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Portin e Durrësit, Drejtorinë e Doganave dhe Policinë e Shtetit.
Deputetja e PD, ngriti pikëpyetje mbi numrin e dërgesave të tilla që mund të kenë ndodhur pa dijeninë e publikut dhe shprehu shqetësimin e saj për korrupsionin endemik që ka përfshirë institucionet shqiptare. Ajo e përshkroi Portin e Durrësit si një “han pa porta,” duke theksuar se ky skandal ka ekspozuar thellësinë e problemit të korrupsionit në vend. Më tej ajo ngriti shqetësime se një vend që nuk ka porta jo vetëm bëhet shqetësim për të tjerët por dhe rrezikon sigurinë e tij teksa nuk dihet se cilat anije futen në portin tonë me këtë nivel korrupsioni.
Në përfundim të videos, Tabaku u shpreh se ky sistem korruptiv duhet të ndryshojë, pasi ka prekur çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe është bërë pengesë e madhe për zhvillimin e vendit.
”Kemi ndjekur me shqetësim skandalin e përmasave ndërkombëtare për transportin e mbetjeve toksike me origjinë nga Shqipëria.
Së pari, dua të falënderoj dy mediat e vogla investigative që ndoqën këtë skandal deri në fund, duke e zbuluar atë që media ndërkombëtare e kishte bërë publik vetëm disa ditë më parë. Ndërkohë që pres përgjigje nga institucionet zyrtare për kërkesat që u kam dërguar, është e nevojshme të sqarojmë disa elementë shumë të rëndësishëm.
Së pari, bëhet fjalë për dy ngarkesa të ndryshme: e para, me origjinë nga Kosova, ka përfunduar në një port të Kinës. Për këtë ngarkesë, përgjegjësia bie edhe mbi institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Portin e Durrësit, Drejtorinë e Doganave dhe të gjitha hallkat ndërmjetëse.
Së dyti, për ngarkesën e dytë, me destinacion final portin e Tajlandës, që ka burimin dhe origjinën nga Shqipëria, përgjegjësia bie sërish mbi të gjitha institucionet shqiptare, duke nisur nga Ministria e Mjedisit, tek Doganat dhe Drejtoria e Portit të Durrësit.
A ka pasur raste të tjera ku Porti i Durrësit dhe institucionet shqiptare janë përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar? A ka pasur ngarkesa që kanë kaluar përmes Portit të Durrësit nga vende që janë ndoshta edhe në embargo?
Së treti, ky skandal nxori në pah dhe ekspozoi sistemin korruptiv që mbizotëron sot në Shqipëri. A duhej që Porti i Durrësit të shfaqej si një ‘han pa porta’ në mediat ndërkombëtare për të na treguar se korrupsioni në të gjitha nivelet është bërë endemik?
Këtë sistem do ta ndryshojmë ne. Këtë sistem, i cili fatkeqësisht ka prekur çdo qelizë të shoqërisë sonë”, shkruan Tabaku.