MARIGLEN KUME/ Skema e ndjekur nga qeveria Rama- Meta me koncesione e PPP-ve në mandatin e parë ishin trendi i rritjes së borxhit publik.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi gjatë një interviste për gazetën “Panorama” se borxhi publik real i vendit tonë nuk është 80.1 sa thotë Ministria e Financave, por 92% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. E thënë ndryshe, çdo shqiptar i ri apo i moshuar, apo edhe i porsalindur, ka rreth 4 mijë euro për të shlyer. Tabaku akuzon qeverinë se borxhet që ka marrë nuk i ka përdorur për investime eficiente, por sipas saj paratë janë dhënë te koncesionet apo klientët e qeverisë. Tabaku dha edhe një statistikë, ku sipas saj 1 në tre tendera jepen në mënyrë korruptive. Ndërkohë, duke rritur në mënyrë të pakontrolluar borxhin publik, Tabaku ngre shqetësimin se Shqipëria mund të mos ketë kapacitet t’i paguajë dhe vendi ynë mund të përballet në një krizë si Greqia para disa viteve.
Znj. Tabaku, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi publik ka kapur zyrtarisht shifrat rekord, 80.1%. Sipas këtyre të dhënave, sa është borxhi që mbart një person në Shqipëri?
Rritja e borxhit publik ka qenë një shqetësim i shprehur nga opozita shqiptare që prej vitit 2014, kur u pa që qeveria Rama-Meta e asaj periudhe tentoi që të kapitalizonte mbi financat e brishta të Shqipërisë. Duke përdorur skemën e Eurobondit dhe gjithashtu atë të PPP-ve, ajo qeveri nisi rrugëtimin e rritjes së borxhit publik në vend në shifra të frikshme. Praktikisht dhe realisht, sot borxhi publik nuk është as 80.1%, por 92% e PBB-së dhe kur e përmend shifrën e dytë kam parasysh që qeveria po fsheh deklarimin e detyrimeve që ka për të paguar në Gjykatën e Arbitrazhit dhe gjithashtu edhe kontabilizimin e PPP-ve apo dhe detyrimeve të prapambetura.
Në raportin e fundit të KLSH përshkruhet qartë tendenca e qeverisë për t’i ikur përgjegjësisë për të përfshirë në borxh detyrimet që lindin nga vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit. Ndërkohë që FMN ka kritikuar qeverinë se ajo po përdor PPP-të për të rënduar buxhetin e vendit dhe kjo do të thotë për të rënduar portofolin e çdo qytetari. Nëse u qëndrojmë shifrave të deklaruara nga MFE, pra, duke fshehur PPP-të dhe dëmet e Arbitrazhit, vlera e borxhit publik që paguan çdo qytetar nga xhepi i tij është 3.600 euro/frymë. Një shifër që prek shifrën e mbi 4000 euro nëse llogarisim raportin real të borxhit publik mbi PBB.
Pse është i rrezikshëm një borxh i lartë për vendin tonë dhe si ndikon ai në jetën e përditshme të qytetarëve?
Struktura ekonomike gjatë këtij dhjetëvjeçari që lamë pas ka qenë ajo e një politike monetare me norma shumë të ulëta interesi dhe ndonjëherë edhe norma negative. Kjo ka ndikuar që shumë vende të marrin normë të lartë borxhi për të rritur shpenzimet dhe gjithashtu për të pasur investime eficiente për ekonominë. Fatkeqësisht, në rastin e Shqipërisë borxhi i rritur dhe i marrë gjithnjë e më shumë në rritje nuk ka shkuar për investime eficiente. Në të kundërt, ky borxh ka shkuar për të furnizuar me para oligarkinë ekonomike të lidhur me interesa tërësisht politikë sikundër tregon dhe raporti i “Transparency International”. Imagjinoni vetëm kaq: vendi ynë ka marrë një EUROBOND në vitin 2015 me vlerë 450 mln euro, kaq është vlera që qeveria shqiptare do të paguajë për PPP-të e inceneratorëve që siç edhe dokumentet tregojnë se janë në kundërshti me ligjin, abuzive dhe korruptive.
Marrja e borxhit pikërisht për këto projekte korruptive dhe aspak eficiente për vendin dhe qytetarët do të thotë përkeqësim i financave publike me një kosto jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat në vijim. Sidomos në kushtet e sotme, ku struktura e tregjeve botërore dhe ekonomia nuk po kalon ditë të mira. Logjika e borxhit publik është njësoj si ajo e një familje që nuk mund të marrë kredi për pushime, ndërkohë që nuk ka të ardhura për të kaluar muajin. Kjo është shqetësuese për Shqipërinë pasi po operojmë me PPP korruptive, ndërsa nuk marrim shërbimin mbrapsht.
Çfarë ndodh nëse shteti ynë arrin në gjendjen që nuk ka kapacitete financiare për të paguar borxhin?
Atëherë është një shtet i falimentuar dhe duhet që të ristrukturojë gjithë shpenzimet e tij në bazë të disa masave që do jenë ekstreme. Ju kujtoj rastin e Greqisë disa vite më parë apo situatën sot në vende si Argjentina.
Çfarë masash duhet të merren për t’u rikthyer në një gjendje normale? Dhe për sa kohë mund të shkojë Shqipëria në situatë normale?
Qeveria duhet të ndjekë edhe këshillat e FMN, që do të thotë duhet të ndërmarrë aksione drastike në lidhje me PPP-të dhe koncesionet. Buxheti i shtetit paguan 1 në 3 tendera që janë korruptivë dhe pa garë. Ndërkohë që PPP-të sipas FMN po kapin 50% të PBB-së dhe ka qenë vetë ky institucion që ka kritikuar haptazi qeverinë për korrupsionin (në rastin e tërmetit), por edhe PPP-të duke i quajtur shpenzime të padobishme. Në të kundërt, taksat e qytetarëve, ndonëse janë rritur, kanë prodhuar informalitet dhe për rrjedhojë norma e informalitetit në vend është rritur ndjeshëm, sidomos nga viti 2016 sipas SELDI. Kjo do të thotë që në krahun e të ardhurave po shtrydhen të ardhurat e pjesës që paguan ato të plota, ndërkohë që shpenzimet janë të shfrenuara në programe joekonomike. Qeveria duhet të bëjë të kundërtën.
Pra, të mundësojë një politikë fiskale që lehtëson taksat dhe kthen barazinë në treg dhe jo një politikë fiskale të oligarkisë. Njëkohësisht duhet të korrektojë shpenzimet duke u dhënë më shumë frymë shpenzimeve kapitale eficiente dhe në shërbim të qytetarëve. Të mos harrojmë që Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon.
A ka vendosur FMN një tavan se sa duhet të jetë maksimumi i borxhit publik në Shqipëri?
Jo! Por kritikat e FMN-së janë më se të qarta që vendi është futur në një zonë të kuqe dhe që do ta ketë shumë të vështirë për të dalë. Kritikat e FMN-së, ekonomistëve në vend dhe BB janë të lidhura me shpenzimet pa fre të PPP-ve që bën qeveria shqiptare, situatës fiskale dhe mungesës së ekonomisë së tregut edhe konkurrencës. A e bën më të pafajshme qeverinë fakti i dy ngjarjeve të pazakonshme si pandemia dhe më herët tërmeti? Qeveritë votohen për situata të jashtëzakonshme. Prandaj, alibia e tërmetit dhe e pandemisë nuk i shpëton dot nga përgjegjësia për këto momente të rëndësishme. Edi Rama ka një mani për t’u ankuar edhe pa qenë nevoja, Shqipëria ka pasur ndihmën ekonomike më të ulët në rajon. Njëkohësisht, vendi ynë ka marrë ndihma gjeneroze nga BE dhe fondi që ajo dha për Ballkanin Perëndimor, ka marrë një kredi nga FMN dhe gjithashtu ka pasur fonde të kontigjencës. Po ta vëreni, fondin e menaxhuar nga qeveria shqiptare e morën koncesionarët dhe oligarkët, ndërkohë që asnjë qytetar tjetër dhe shumë pak të vetëpunësuar morën para nga buxheti i shtetit.
Do ketë iniciativa PD në Parlament për të propozuar masa të nevojshme për uljen e borxhit?
Partia Demokratike nuk ka qenë e mangët në iniciativat e saj ligjore, ndonëse ka ndeshur me murin e heshtjes që mbulon vjedhjen e qeverisë. Jemi të bindur që kjo situatë do të përkeqësohet dhe sa herë që ne do të ofrojmë alternativën, që natyrisht do ta bëjmë, do të përballemi me heshtjen dhe këmbënguljen e atyre që duan të veprojnë nën moton e njeriut që kap dhe merr ç’t’i zërë dora.
Marrë nga Gazeta Panorama.al