Tabaku për shembjet tek ‘Prestige Resort’: Rama përdor mjete totalitare vetëm pse media nuk i përgjigjet oreksit të qeverisë

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku thotë se shembjet te ‘Prestige Resort’ nga IKMT-ja janë mesazh presioni i qartë i Ramës ndaj medias, në rast se ‘nuk plotësohen orekset e qeverisë’.

Tabaku bën thirrje që të reagohet për situatën e paprecedentë, duke thënë se nëse Rama e bën një gjë të tillë me një biznes, mund të bëjë shumë më tepër dëm te një qytetar.

Postimi i Jorida Tabakut:

Pamjet e mengjesit të sotëm me policinë e shtetin pranë një biznesi privat të grupit të mediave Neës 24 dhe Panorama ishin trishtuese dhe tregojnë fytyrën e vërtetë të qeverisjes!

Historia e qeverisë që turret për të shembur biznese që deri dje i ka konsideruar mikpritëse vetëm përse linjat editoriale të mediave nuk ndjekin urdhërat e qeverisë është një film parë më herët.

Një film që ka shkuar deri në gjykatën e Arbitrazhit dhe që ka sjellë më tej një media përherë e më të kapur dhe vetëcensuruar.

Fatkeqësisht qeveria vazhdon të përdorë mjete totalitare për të vendosur drejtësinë e saj vetëm përse media nuk i përgjigjet interesit dhe oreksit të qeverisë. Kjo është tragjedia e lirisë së medias dhe lirisë së bërit biznes ne shqiperi!

Sulmet politike ndaj biznesit e medias, presioni ndaj gazetarëve, ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin është tipari tipik i regjimeve autokratike! Kjo që po ndodh sot, nesër mund ti ndodhë kujtdo! Nesër vjen te dera jote!