Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku ka qenë kundër vendimit të Kryesisë së PD-së, për të përjashtuar nga partia 8 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit. Sipas Tabakut i vetmi që duhej të përjashtohej ishte Sali Berisha, i cili me vendim të kryesisë u largua përgjithmonë nga PD.
Ndërkohë Tabaku ka paralajmëruar se me përjashtimin e demokratëve që mbështesin Berishën, ata mund të formojnë një grup të ri parlamentar.
Nga ana tjetër Jemi Gjana ka pasur një mendim të kundërt me Jorida Tabakun. Sipas Gjanës, grupi i PD nuk ka lidhje me të përjashtuarit nga partia. Kujtojmë se pas 8 orësh mbledhje, kryesia e selisë blu ka përjashtuar Bujar Nishanin, Flamur Nokën, Albana Vokshin, Edmond Spahon, Arben Ristanin, Klevis Balliun dhe Keltis Krujën.
Deklaratat në mbledhje:
Jorida Tabaku: Unë mendoj që të mos përjashtohen të gjithë por vetëm Sali Berisha si organizator i nismës. Nëse ne vendosim që ti përjashtojmë atëherë i japim mundësi që ata të krijojnë grup të ri parlamentar.
Jemin Gjana: Unë mendoj të kundërtën. Ne nuk kemi më lidhje me ta. Ne duhet ti përjashtojmë të gjithë. Nuk mendoj se nëse ne i bëjmë të reflektojnë nëse i pezullojmë. Ata e krijojnë grupin kur të duan.