Sulmuesi Kavajas i Kombëtares Sokol Cikalleshi shpallet lojtari i muajit nëntor në Superligën e Turqisë sipas revistës sportive të njohur që merret me statistikat dhe vlerësimet e lojtarëve të kampionatit turk “Comunio Superlig”, e përgatitur nga gazetarët sportivë më prestigjiozë në Turqi.
Një çmim i denjë për sulmuesin e Kombëtares që në ndeshjet e fundit me Koniasporin ka dhuruar performanca fantastike. Në muajin nëntor në Turqi janë luajtur tri ndeshje gjithsej dhe në bazë të paraqitjeve ky çmim i shkon Cikalleshit. Sulmuesi ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar një asist, më shumë se kushdo tjetër në këtë muaj. Kujtojmë që në këtë kampionat luajnë shumë lojtarë me eksperiencë si Ozil, Pjaniç, Batshuaji dhe shumë emra të tjerë.
Falë golave të 31- vjeçarit skuadra e Koniasporit renditet në vendin e dytë në kuotën e 26 pikëve, duke lënë mbrapa emra të mëdhenj si Beshiktash, Gallatasaraj dhe Fenerbahçe. Këtë sezon në 12-javë të luajtura në total, Cikalleshi ka gjetur 5 herë rrugën e rrjetës dhe ka asistuar vetëm një herë. Ky është viti i dytë që sulmuesi luan me fanellën e Koniasporit, por gjithashtu viti i gjashtë që aktivizohet në Turqi, ku ka qenë pjesë e skuadrave si Istanbul Bashaksheir, Ankaraspor, Akhisar, Gëztepe.
Statistikat më të mira Cikalleshi i ka me klubin e Akhisar ku në 60 ndeshje të luajtura ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar gjashtë herë. Ndërsa me Kombëtaren shqiptare, kavajasi ka luajtur 44 ndeshje dhe ka shënuar plot 12 herë, dhe është gjashtë gola mbrapa ish-sulmuesit Erjon Bogdani, i cili mban rekordin me 18 gola të shënuar në Kombëtare.