Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola ka reaguar pas sulmeve dhe kërcënimeve që po ushtrohen prej ditësh ndaj grupit mediatik “Hysenbelliu Group”, ku bëjnë pjesë, “News24”, “Balkanweb”, “Gazeta Panorama” , “Gazeta Shqiptare” edhe “Prestige Resort”.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola në një prononcim për ”Gazetën Shqiptare” ka deklaruar se kërcënimi apo intimidimi kundër gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias është e patolerueshme për BE-në.
Kjo pasi vetë Bashkimi Europian është ngritur mbi këto principe bazë, sipas së cilës çdo shtet kandidat për në Unionin Europian është i detyruar ti përmbushë.
Presidentja e PE thekson se Unioni pret që çdo vend që aspirant për t’u berë pjesë e Bashkimit Europian, si Shqipëria të përmbushë maksimalisht principet për të respektuar lirinë e medias dhe te ndalojnë sulmet dhe intimidimet ndaj gazetarëve.
Prononcimi i plotë:
“Liria e shtypit është një nga principet bazë të Bashkimit Europian, të cilët Parlamenti Europian i mbron fortë jashtë dhe brenda BE-së. Ne presim që çdo vend aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian të përmbush maksimalisht këto principe. U bëjmë thirrje aktorëve përgjegjës të marrin masa kundër fjalimeve që nxitin urrejtjen, fushata shpifjesh, kërcënimet dhe intimidimet kundër gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias”, ka deklaruar për “Gazetën Shqiptare’, Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Theksojmë se IKMT është duke vijuar aksionin për prishjen e ‘Prestige Resort’, pjesë e grupit mediatik “Hysenbelliu Group”.