Sulmet e Iranit, eksperti Ervin Karamuço: Shqipëria në luftë! Të forcojmë “muret e zjarrit”

VALENTINA MADANI/ Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço, paralajmëron se Shqipëria është në shënjestrën e Iranit dhe se do të jetë objekt i sulmeve kibernetike për një kohë të gjatë.

Sipas tij, Shqipëria është në luftë pasi kemi përballë dy shtete të fuqishme ushtarake, si Rusia dhe Irani që na konsiderojnë aktualisht vend armik. Eksperti i sigurisë thotë për gazetën “Panorama” se AKSHI duhet të shndërrohet në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe të kuptojë rëndësinë e saj reale pasi sipas tij çdo paaftësi apo neglizhencë e tij, ka kosto shumë të rëndë për të gjithë ne.

Karamuço vëren me shqetësim se sistemi jonë i mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike, rezultoi i dobët dhe jo efecient për t’i bërë ballë një hakerimi të këtyre përmasave. Eksperti i sigurisë shpreson që pas kësaj, shteti të mendojë për investime serioze dhe protokolle të reja të sigurisë, duke rritur kapacitetet njerëzore dhe forcuar “muret e zjarrit”.

Z.Karamuço, çfarë po ndodh me Shqipërinë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin?

Shqipëria është në luftë, por ky lloj agresioni është jo konvencional dhe ka për armë vetëm teknologjinë, propagandën dhe hakerimet. Në këto raste, AKSHI shndërrohet në Ministrinë tonë të Mbrojtjes, ndaj duhet të kuptojë rëndësinë e saj reale, sepse çdo paaftësi apo neglizhencë e tij, ka kosto shumë të rëndë për të gjithë ne. Shqipëria nuk është përballur asnjëherë në historinë e saj me luftën hibride. Kjo që po përjetojmë aktualisht, është vetëm ajo çfarë kemi lexuar për shumë vite dhe njohim në planin teorik.

Përse kjo ofensive e Iranit ndaj Shqipërisë, e cila kulmoi me atë të korrikut ku gjetën të çara në sistemin tonë të mbrojtjes, duke ndërprerë shërbimet qeveritare online?

Sistemi jonë i mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike, rezultoi i dobët dhe jo efecient për t’i bërë ballë një hakerimi të këtyre përmasave. Shpresoj që mbas kësaj, shteti të mendojë për investime serioze dhe protokolle të reja të sigurisë, duke rritur kapacitetet njerëzore dhe forcuar “muret e zjarrit”.

Ju keni paralajmëruar fatkeqësi për popullin shqiptar pas dëbimit të ambasadës iraniane nga Shqipëria. Nga se janë të rrezikuar shqiptarët? Çfarë sinjalesh keni ju…? Çfarë skenarësh të frikshëm rriten në vijimësi…?

Duke qenë profesor i kriminologjisë dhe duke studiuar prej vitesh rrezikshmërinë e grupeve iraniane të hakerimit dhe bashkëpunimin e tyre me grupe simotra dhe organe të inteligjencës së vendeve jo mike, parashikoj që sulmet e tyre do vijojnë me intensitet dhe do të jenë të rrezikshme. Kjo nuk duhet të krijojë panik të panevojshëm, por duhet të diktojë rritjen e masave të sigurisë, ndërgjegjësimin dhe vigjilencën publike dhe institucionale.

Deklarata juaj ngjall disi frikë duke marrë parasysh paralajmërimin që bëtë para 5 muajsh për rrezikun rus të inteligjencës me mbulim turistik. Në rastin e sulmit kibernetik nga Irani a po vihet në rrezik siguria kombëtare? Çfarë pasojash do të ketë për vendin tonë?

Siguria jonë kombëtare ka disa kohë që është vënë në sprovë të madhe dhe përpara testeve të vështira. E rëndësishme është të përqendrohemi në strategji dhe koordinim të efektshëm jo vetëm midis institucioneve brenda vendit, por edhe me partnerët ndërkombëtar. Kemi përballë dy shtete të fuqishme ushtarake, si Rusia dhe Irani që na konsiderojnë aktualisht vend armik. Janë po këto dy vende që listohen në vendet me kapacitetet më të larta të terrorizmit kibernetik në botë.

Realisht, a janë vjedhur të dhënat e shqiptarëve pasi ne pamë edhe rrjedhje masive të dhënash shtetërore? A rrezikohemi nga sulme të intensifikuara…?

Nuk përjashtoj mundësinë që Irani, krahas sulmeve kibernetike, të reagojë edhe me akte subversive, duke tentuar të kryejë të njëjtat tentativa për sulme ndaj institucioneve, figurave politike apo atyre të klerit në Shqipëri, siç ka bërë në të kaluarën, por që janë parandaluar në kohën e duhur. Aktualisht, nëpërmjet propagandës së tyre shtetërore, ata kanë shprehur një indinjatë të madhe për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të njëanshme nga ana e vendit tonë.

Pse jemi në sulme të vazhdueshme kibernetike? Përveç Iranit, nga kush tjetër jemi të rrezikuar? Nuk kemi parë asgjë akoma…?

Në sesionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të këtij viti na quajtën vend terrorist që strehon terrorist dhe përpara saj, në vitin 2020, lideri suprem i tyre na konsideroi një vend të vogël të djallit në Evropë. Këto janë sinjale që tregojnë që vendi ynë është i shënjestruar nga Irani dhe ata do e kenë për një kohë të gjatë objekt të sulmeve të tyre Shqipërinë.

Çfarë masash duhet të marrë qeveria…? A kemi të bëjmë me keqmenaxhim të AKSHI-it, duke e bërë vendin vulnerabil ndaj sulmeve nga jashtë?

Këshilla ime është të evitojmë panikun e panevojshëm, të rrisim sa më shpejt kapacitetet tona mbrojtëse dhe të edukohemi të kuptojmë termin vigjilencë, jo si reminishencë e së kaluarës, por si një nevojë reale për t’u përballuar me këtë realitet të ri./ Panorama.al