Protesta me moton “STOP RRËMBIMIT DHE VRASJES SË QENVE” do të vazhdojë sërish sot në orën 11:00, përballë Bashkisë së Tiranës.
Zhdukja e kafshëve endacake në Tiranë ka zgjuar revoltën tek qytetarët që prej ditës së djeshme , të cilët kanë dalë për mbrojtjen e të drejtave të qenieve që nuk mund të mbrojnë veten.
Grupe qytetarësh, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe figura të njohura publike, janë mbledhur fillimisht para Bashkisë së Tiranës për të protestuar dhe më pas janë zhvendosur në Qendrën e Strehimit të Kafshëve në zonën e Kombinatit.
Protestuesit kërkuan mbylljen e Spitalit të Kafshëve në Kombinat, duke akuzuar drejtuesen e institucioneve së po dhunon kafshët dhe se brenda godinës i vrasin me acid, ndërkohë që nuk kanë munguar përplasjet edhe me punonjësit e Policisë.
Qytetarët kanë kërkuar që të futen në godinë dhe të shpëtojnë kafshët, por nuk janë lejuar nga policia.
Gjithçka nisi pasi një video të publikuar nga “Animal Rescue Albania”, e cila u bë virale ditën e djeshme.
Në pamjet e publikuara, duken punonjësit e Bashkisë që marrin një qen dhe e fusin në kafaz për ta larguar nga shtëpia e tij, pavarësisht thirrjeve të qytetarëve për ta lënë të lirë.