Shqipëria do të luajë ndeshjen më të rëndësishme në historinë e futbollit tonë ndaj Spanjës më 24 qershor, mbrëmjen e së hënës. Ajo do të jetë ndeshja e fundit në Grupin B dhe një fitore e Shqipërisë do të na çonte për herë të parë në fazën e 1/8-ave të Kampionatit Europian.
Teksa sheh emrin e kundërshtarit dhe paraqitjen e tyre në dy ndeshjet e para, shanset për Shqipërinë janë pothuajse zero. Fatmirësisht, Spanja e ka siguruar vendin e parë në grup dhe ndaj skuadrës së Sylvinhos do të zbresë në fushë me formacionin e dytë. Sigurisht, edhe pse jo si “yjet” që luajtën ndaj Kroacisë dhe Italisë, ekipi i dytë është i mbushur me lojtarë të klasit tejet të lartë.
Megjithatë, një detaj, i cili ndoshta ka shpëtuar në këto ditë të ethshme para sfidës: që nga Botërori i Katarit, dimrin e vitit 2022, Spanja ka humbur vetëm dy herë, ndaj Skocisë më 23 mars 2023 me rezultatin 2-0 dhe në ndeshjen miqësore ndaj Kolumbisë më 22 mars 2024 me rezultatin 1-0.
E veçanta e këtyre dy ndeshjeve është se trajneri De la Fuente ka luajtur me formacionin e dytë, ashtu siç do bëjë ditën e hënë ndaj Shqipërisë. Dëshira është shumë e madhe që edhe në këtë ndeshje ata të zhgënjejnë sërish dhe Shqipëria të triumfojë, duke shënuar emrin e saj me germa të arta në historinë e futbollit europian.