Bashkia ka gjetur një formë origjinale për të jetësuar figurat e futbollit kavajas. Pranë aneksit të stadiumit, dje nisi mbjellja e pemëve në kujtim të emrave ikona që nuk jetojnë më, si Alush Mërhori, Xhavit Daiu, Qamil Teliti, Dhimitër Dimroçi apo Bajram Hushi, i ndarë nga jeta disa ditë më parë dhe shumë të tjerë. I pranishëm ishte Përparim Daiu, një nga figurat e shquara të verdhezinjve dhe jo vetëm.
Gazeta “Panorama Sport” e intervistoi për ta pyetur për situatën që po kalon Besa dhe ishmbrojtësi nuk u kursye aspak. Me skuadrën që po lëngon prej 10 vitesh, ai e sheh të udhës që një orë e më parë të afrohen donatorë dhe hapur i bën një apel qeverisë.
Si e përjeton një ikonë si Daiu situatën aktuale te Besa?
Të vjen vërtet keq. Është situatë paradoksale kjo që po kalon Besa, ndërsa ne vijmë në këtë ceremoni vlerësimi kemi kënaqësinë të përmendim e nderojmë ikona të futbollit kavajas dhe atij shqiptar.
Jemi kaq shumë sot këtu dhe shohim vërtet me dhimbje situatën në futbollin kavajas. Besa ka 10 vite që lëngon në ligat e ulëta, pa ngritur kokën e dhuruar asnjë emocion.
Të gjithë kemi përgjegjësi, pa na përjashtuar edhe ne që kemi derdhur djersën tonë për këtë fanellë, por edhe drejtuesit. Duhet patjetër t’i jepet një zgjidhje. Qoftë nga presidenti, duke afruar donatorë të tjerë. Termi “boll” ka kaluar çdo limit, kur flitet për kohën e humbur me Besën.
Ndërkohë, edhe Besa U19 vuan për futbollistë sot.
Është vërtet situatë trishtuese kur sheh sot mungesën e dëshirës të të rinjve për të vijuar futbollin. Besa ndër vite ka pasur “luftë” kush të afrohej në ekipet zinxhir e më tej me “komision” vështirë se pranoheshe te Besa, aq shumë talente kishte.
Jo më kot i madhi Zini Gjinali do të shprehej: “Në Fier fut lopatën në dhe nxjerr naftë, në Kavajë dalin futbollistë”. Me sa duket, klubi nuk ka një strategji vërtet të mirë t’i tërheqë talentet. Duhet pranuar se çdo vit emigrojnë qindra të rinj.
Kthehemi te plaga më e madhe e Kavajës. Çfarë po ndodh me stadiumin?
Stadium “Besa” është bërë sikur ndodhet në Ukrainë dhe është bombarduar. Dikur buçiste nga mijëra tifozë, jo vetëm kavajas, por nga mbarë Shqipëria.
Në atë stadium, por edhe në fushën e vjetër, nuk ka familje kavajase që nuk ka pasur një baba, një djalë, një vëlla të veshë fanellën e Besës. Kavaja futbollin dhe fenë i ka pasur vlerat më të larta shpirtërore ndër shekuj.
Pa futbollin qyteti ndihet si pa një dorë. Ndaj, për kontributin e dhjetëra kavajasve, që nga Alush Mërhori, Qamil Teliti, babai im Xhaviti e të tjerë, apeloj qeverinë shqiptare, personalisht kryeministrin Rama, FSHF-në, që të investojnë e të ndërtojnë stadiumin “Besa”.
Në disa qytete është investuar, ndaj Kavaja e meriton pasi luajti futboll para të tjerëve dhe sot lëngon duke marrë vetëm premtime. Është investuar në Kukës, Durrës, në Lushnjë po investohet, ndërsa në Kavajë jo, që prej vitit 1975 kur u inaugurua ish-stadiumi më saktë.
Së fundi, a i ka thënë Daiu lamtumirë treningut? Së fundi drejtuat Egnatian kur kishte nevojë.
Një ish–futbollist do ta ketë futbollin gjithë jetën në zemër. Por para 8 vitesh, për shkak të angazhimeve në disa detyra në administratë nuk kisha kohën për të vijuar trainingun.
Tek Egnatia isha këshilltar i presidentit dhe drejtova 1 takim kur klubi kishte nevojë. Nëse gjërat do ndryshonin dhe do kishte alternativa të mira e shpresëdhënëse, pa dyshim që nuk do të mendohesha dy herë për të dhënë kontributin tim modest për futbollin ashtu si e mendoj unë këtë të fundit, plot energji, pozitivitet e kënaqësi pa fund.
Sigurisht, brenda një gare të ndershme. Thonë që shpresa vdes e fundit dhe besoj se gjërat te Besa do ndryshojnë pasi s’ka ku të shkojë më keq se kaq. E kur të vijë ajo ditë, unë me siguri do jem aty dhe ta shoh Besën në Superiore, aty ku e lashë unë dhe shokët e mi.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL