Kreu i Fondit të Zhvillimit Shqiptar Dritan Agolli është vënë nën hetim nga SPAK në lidhje me një tender që i ka dhënë kuzhinierit të famshëm Alfio Rrotani, me vlerë 400 mijë dollarë. Dritan Agolli po hetohet nga organi më i lartë i akuzës për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.
Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani me 27 Janar të këtij viti është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese. Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.
Gara kompromentohet për shkak se Alfio Rrotani ka punuar me djalin e kreut të FSHZH Flladi Agolli në restorantin e tij në Hamallaj i regjistruar me emrin “Beach Bedoun Bar”. Vetë faqja zyrtare e restorantit ka ndarë në rrjetet sociale foto ku Alfio shfaqet me gatime që janë specialitet i këtij restoranti dhe me uniformën e shefit ku anash shkruhet edhe emri i tij.
Firma fituese është një bar restorant i njohur me emrin “Kripë dhe Piper” që ndodhet përballë godinës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit në rrugën Sami Frashëri në kryeqytet. Ky ambient frekuentohet nga zyrtarë të niveleve të ndryshme që punojnë në FSHZH.
Abuzimi
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përditësuar të dhënat që lidhen me tenderin mijëradollarësh që është hedhur për menynë “100 Fshatra”.
Duke iu referuar të dhënave të praktikave që janë përdorur për të justifikuar këtë shumë shikohet se bëhet fjalë për një libër me receta dhe informacione dhe po ashtu edhe për një dokumentar nga i cili do të promovohet puna mbi këto “100 Fshatra”.
Ditën e martë kanë dalë të dhëna të tjera që lidhen me “zërat” që janë orientuar për të justifikuar shumën marramendëse që është hedhur për realizimin e menysë.
Sipas të dhënave, bëhet me dije se bëhet fjalë për hartimin e një libri dhe të një dokumentari. Në libër ideuesit e këtij projekti kanë parashikuar të përfshijnë receta me gatime shqiptare të cilat do të paraqiten si libër informativ e po ashtu bëhet fjalë edhe për një dokumentar me disa pjesë, pra seri, që do të realizojnë promovimin nëpër rrjetet sociale. Pra, ky projekt për FSHZH-në kushton plot 500 mijë dollarë.
MOSREAGIMI
Pas daljes së skandalit që lidhej me koston marramendëse të menysë së ushqimeve të traditës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ende nuk ka bërë asnjë reagim. Madje as qeveria, pasi ky fond është në varësi direkte të kreut të qeverisë. Por në lidhje me skandalin e dhënies së tenderit për përgatitjen e menysë së kuzhinës tradicionale shqiptare me vlerë prej rreth 500 mijë dollarësh bashkë me TVSH-në, që iu dha kuzhinierit Alfio Rrotani, i punësuar pranë restorantit të djalit të vetë drejtorit të këtij institucioni, Dritan Agolli, nuk ka pasur as reagime të tjera nga ana e asnjë institucioni që ka për detyrë të hetojë dhe verifikojë të gjitha praktikat e tenderëve.
SHPËRNDARJA E PARAVE
Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka hapur procedurën brenda programit “100 Fshatra”, duke gjetur pretekstin për të hartuar një meny për të krijuar menynë “100 Fshatra”. Sipas dokumenteve, paratë do të shkojnë për grumbullimin e informacionit mbi gatimet shqiptare, dizajnin e librit të menysë “100 Fshatra”, realizimin e një dokumentari me seri dhe promovime në rrjetet sociale. Në shkresat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk del qartë se si ka dalë kjo kosto, vetëm thuhet se libri do të jetë i konceptuar si një udhëtim turistiko–gastronomik në “100 Fshatrat”, me një format miks mes një libri kuzhine dhe një guide turistike, në version “print” dhe online. Ndërsa dokumentari do të transmetohet sipas tyre në 12 seri.
DYSHIMET
Dyshimet për shpalljen e fituesit të tenderit janë për një qark të shkurtër mes drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe shefit të kuzhinës Alfio Rrotani. Ky i fundit është administrator dhe ortak kryesor i kompanisë “Maskarpone”, fituese e tenderit, ndërkohë që ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar” në Hamallaj te gjiri i Lalzit në Durrës, në pronësi të Flladi Agolli, i biri i drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Ishte vetë ky restorant, që ndodhet brenda një resorti turistik, që ka reklamuar në faqen e tij të “Facebook” shërbimet e shefit të kuzhinës Alfio Rrotani teksa përgatit tavolinat, apo kur prezantohet bashkë me stafin, të cilët janë edhe të punësuarit e Flladi Agollit. Prokuroria dhe aq më pak SPAK-u nuk kanë reaguar as përgjatë së djeshmes në lidhje me shumën e çmendur të hedhur për një meny, apo libër!