Është zbardhu mocioni i Partisë Demokratike për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, teksa sot pritet vendimi i Kuvendit për mandatin e saj pas akuzave të PD për shpalljen e bashkëshortit të ministres nga qeveria si investitor strategjik.
MOCIONI I PLOTE:
KËRKUES: Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike – më shumë se 1/10 e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë
LËNDA: Kërkohet ndjekja e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka
DREJTUAR: Kuvendit të Shqipërisë
BAZA LIGJORE: Nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 7 e 13 të Rregullores së Kuvendit dhe neneve 28 dhe 45 të Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike janë bërë publike fakte që provojnë se deputetja e Kuvendit të Shqipërisë zj. Olta Xhacka, ka ushtruar mandatin e deputetit në kundërshtim me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 70 të Kushtetutës, duke ushtruar veprimtari fitimprurëse me pasuri të shtetit, nga shoqëria tregtare në pronësi të bashkëshortit të saj z. Artan Gaci.
Opozita ka pritur që në përputhje me betimin e bërë përpara deputetëve dhe qytetarëve shqiptare për zbatimin e Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të vepronte menjëherë, për përmbushjen e detyrimit kushtetutes, dhe dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese. Fatkeqësisht konstatojmë se rruga e zgjedhur nga Kryetari i Kuvendit dhe shumica parlamentare është ajo e injorimit të fakteve dhe mbylljes së syve para një skandali të tillë.
Në mungesë të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese nga ana e Kryetarit të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (më shumë se 1/10 e anëtarëve të Kuvendit), në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, në përputhje me nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës, dhe neneve 7 e 13 të Rregullorës së Kuvendit, paraqet këtë mocion, me anë të të cilit kërkon ndjekjen e procedurave të konstatimit të papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka.
Është në detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të respektojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe legjislacionin e miratuar nga vetë Kuvendi, duke paraqitur dhe miratuar mocionin për dërgimin e cështjes për shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë në ushtrimin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Në këtë rast Kuvendi është i detyruar që të ndjek standardin kushtetues dhe precedentin parlamentar të elaboruar edhe me vendimin nr. 7/2016 të Gjykatës Kushtetutese të Republikës së Shqipërisë, ku është bërë interpretimi përfundimtar i pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.”.
I. FAKTE DHE RRETHANA
Ligji për investimet strategjike është miratuar në 28 maj 2015 dhe ka hyr në fuqi në 17 Tetor 2015.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, konkretisht më datë 21 tetor 2015, është krijuar shoqëria tregtare AG. TCC shpk, me objekt veprimtarie investime ne hoteleri-turizem. Kjo kompani e krijuar vetëm 4 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për investimet strategjike, rezulton se është në pronësi të z. Artan Gaçi, i cili është administrator dhe ortaku i vetëm i kësaj shoqërie . z. Artan Gaçi rezulton se është bashkëshorti i deputetes së Partisë Socialiste dhe Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme znj. Olta Xhacka.
Kompania e krijuar menjëherë pas miratimit të ligjit për investimet strategjike AG. TCC shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka, me vendimin nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES”, me subjekt “AG.TCC” sh.p.k, me NUIS L52227046H” të Komitetit të Investimeve Strategjike , ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar. Ndër të tjera vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike parashikon masat lehtësuese që përfiton kompania në pronësi të bashkëshortit të Ministre dhe deputetes znj. Olta Xhackas.
Në përputhje Vendimin e KIS nr. 3/5 datë 29.03.2021, shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare. Sipas vendimit, shoqëria investuese synon që zonën e bregdetit ta përdorë ekskluzivisht për zhvillimin e veprimtarisë turistike në shërbim të Hotelit që po zhvillohet dhe, për këtë qëllim, në këtë zonë planifikohet të instalohen disa stacione plazhi, ku synohet të ofrohet shërbim i cilësisë së lartë, në përputhje edhe me standardet më të mira ndërkombëtare. Për këtë arsye, por edhe me qëllim që subjekti investues të përfitojë nga incentiva e reduktimit të TVSH-së, sipas pikës 2, neni 11/1 i VKM nr. 953 datë 29.12.2014, subjekti investues ka krijuar një shoqëri të dedikuar (SVP).
Më datë 25/06/2021 znj. Taëni Lin Grzych-Sutton, shtetase amerikane e lindur më 1990 dhe banuese ne Rezidencën “Kodra e Diellit” Nr. 22, Shk. 298, Ap. 14 Tirane, Shqiperi, ka krijuar me një kapital prej 500 milion lekesh shoqërinë AGTCC HOTEL MANAGEMENT, me objekt veprimtarie “shërbim hoteleri turizëm” .
5 ditë pas krijimit, shoqëria AGTCC HOTEL MANAGEMENT shpk. lidh marrëveshje bashkëpunimi me shoqërinë “AG.TCC” sh.p.k, në pronësi të bashkëshorit të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka për administrimin e pasurisë publike që ky i fundit ka përfituar si investitor strategjik; pra brigjet e detit dhe plazhin në zonën e Gjilekës, Bashkia Himar. Pra, aktualisht shoqëria investuese “AG.TCC” sh.p.k. ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi nr. rep. 695, nr. kol. 420 datë 30.06.2021, me shoqërinë “AGTCC HOTEL MANAGEMENT” sh.p.k., për operimin e strukturave turistike në projektin Dreamades Luxury Suits, ku përfshihet edhe operimi i stacioneve të plazhit në bregun përballë hotelit, duke luajtur kështu rolin e një shoqërie të dedikuar (SVP).
Kjo marrëveshje vetëm 15 ditë më vonë, më datë 15 Korrik 2021 reflektohet në një tjetër vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike nr. 3/9, datë 15/07/2021 “Për një ndryshim në vendimin nr. 3/5 datë 29.03.2021 të KIS “Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES” , me subjekt “AG.TCC” sh.p.k me NUIS L52227046H, ku konfirmohet përfitimi i statusit të investitorit strategjik, masat mbështetëse dhe e drejta për përdorimin e pasurisë publike – brigjeve të detit dhe plazhit, si dhe reflektohet marrëveshja e bashkëpunimit e lidhur midis dy shoqërive.
Në vijim, me vendimin nr. 137, datë 2 Mars 2022 “Për lejimin e përdorimit të brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “DREAMADES LUXURY SUITES”, Këshilli i Ministrave ka konkretizuar dhënien e të drejtës së përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit për shoqërinë investuese, duke detyruar Bashkinë Himarë të lidhë kontratën me to. Konkretisht, Bashkia Himarë ka detyrimin që, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr. 3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë.
Dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore, që ndalojnë deputetin dhe për efekt të ligjit bashkëshortin e tij, të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit, që passjell mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 71/2/c të Kushtetutës.
II. LIGJI KUSHTETUES DHE PRECEDENTI PARLAMENTAR E KUSHTETUES
Neni 70 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se:
“1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. 2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj. 3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. 4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”
Nga ana tjetër, neni 71 i Kushtetutës parashikon se:
“1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. 2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.”.
Ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, parashikon rastet e papajtueshmërisë me mandatit e deputetit apo ministrit:
Neni 5 – “1. Interesat privatë të zyrtarit janë ata interesa që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga: dh) marrëdhënie familjare apo të bashkëjetesës.
2. Kufizimet e interesave privatë, të përcaktuara shprehimisht në këtë ligj, zbatohen së bashku me kufizimet e të njëjtit interes privat, të përcaktuara shprehimisht në një ligj tjetër, sipas parimit, që zbatohet ai kufizim që është më i rreptë.”.
Neni 21 – “1. Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara në kreun III, seksioni 2 të këtij ligji, gjyqtarët e prokurorët në nivelin e gjykatës së shkallës së parë e në atë të apelit, dhe asnjë shoqëri tregtare, ortakëri a shoqëri e thjeshtë, ku ky zyrtar zotëron, në mënyrë aktive apo pasive, aksione a pjesë në kapital, në çfarëdo sasie, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik.”.
Neni 24 – “1. Rrethi i personave të lidhur me zyrtarin, në zbatim të ndalimeve të përcaktuara në nenin 21 dhe në nenin 22 të këtij ligji, përbëhet nga bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es.
3. Ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, të përcaktuara në këtë seksion, zbatohen edhe për personat e lidhur me të, në përputhje me pikat e mësipërme të këtij neni.”.
Neni 27 – “Ministri: c) nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.”.
Neni 28 –“Deputeti: a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.”.
Neni 35 – “1. Person i lidhur, për qëllim të neneve 27 deri 33 të këtij ligji, për kufizimet e interesave privatë të zyrtarëve, të përcaktuar në nenet e tjera të këtij seksioni, janë vetëm bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es dhe bashkëjetuesit/es.
2. Në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit dhe personit të lidhur i kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë zyrtarit.”.
Neni 45 – “1. Çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj nga zyrtarët përbën shkelje disiplinore, pavarësisht nga përgjegjësia penale apo administrative. Masat disiplinore zbatohen në përputhje me ligjet, që rregullojnë marrëdhëniet e punës dhe/ose statusin e zyrtarëve. Për masat disiplinore të marra nga institucionet përkatëse, njoftohet rast pas rasti Inspektorati i Larte.
2. Për zyrtarët, që njësohen ose janë anëtarë të organeve kushtetuese, zbatohen masat dhe procedurat e përcaktuara nga Kushtetuta dhe dispozitat ligjore përkatës.”.
Neni 13 i Rregullores së Kuvendit parashikon se:
“Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitet…. drejtohet nga Kryetari …Kuvendit dhe shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit….”.
Ashtu sikurse jeni në dijeni tashmë Kuvendi dhe Gjykata Kushtetutese kanë krijuar precedent parlamentar dhe kushtetues në rastin e shqyrtimit të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqaj dhe Koco Kokëdhima .
Me vendimin nr. 44/2011 (rasti i deputetit Ilir Beqaj), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, është shprehur se:
“Papajtueshmëria me funksionin e deputetit nënkupton që deputeti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër përveç atij të anëtarit të parlamentit ose anëtarit të qeverisë. Në thelb papajtueshmëria përqendrohet në dy aspekte: e para lidhet me ndalimin për të mbajtur dy funksione publike, e dyta, me ndalimin për të mbajtur një funksion publik dhe një privat me karakter ekonomik (ose jo). Në të dyja rastet, ndalimi për të mbajtur dy funksione/detyra synon parandalimin e mbivendosjes së kompetencave të ndara tek i njëjti person ose organ dhe në këtë mënyrë moscenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe si rrjedhojë të shtetit të së drejtës. Gjithashtu, ndalimi i ushtrimit të më shumë se një funksioni/detyre parashikohet për të garantuar edhe angazhimin e plotë dhe pa rezerva të funksionarit në kryerjen e detyrës së marrë përsipër prej tij, gjë e cila mund të reduktohej ose të bëhej e pamundur për shkak të angazhimit të veçantë që kërkon kryerja e njëkohshme e dy detyrave nga funksionari.
Instituti i papajtueshmërisë mbron ushtrimin e mandatit të dhënë dhe garancitë e paanshmërisë së të zgjedhurit. Ai konsiston në pamundësinë juridike për të mbajtur një detyrë për të cilën subjekti është zgjedhur në mënyrë të vlefshme ose të zhvillojë disa aktivitete të caktuara të konsideruara nga ligjvënësi si të papajtueshme me mandatin elektoral. Për papajtueshmërinë, si koncept ndalues i kryerjes së më shumë se një detyre/funksioni, nuk është e rëndësishme nëse funksionari bie në kushtet e përfitimit për shkak të detyrës ose jo ose në konflikt interesi midis detyrës së tij dhe interesave privatë. Vetëm fakti i ushtrimit të dy funksioneve/detyrave (publike-publike, publike-private) mjafton që ai të konsumojë këtë ndalim. Deputeti nuk duhet të kujdeset për të ardhurat e tij gjatë kohës që ushtron detyrën, me qëllim përmbushjen sa më mirë të funksionit për të cilin ai është zgjedhur.”.
Me vendimin nr. 32/2016 (rasti i deputetit Koco Kokëdhima), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, është shprehur se:
“Instituti i papajtueshmërisë shfaqet, nga njëra anë, si mekanizmi që ka për qëllim mbrojtjen e pavarësisë së mandatit parlamentar dhe, nga ana tjetër, si reagimi ndaj detyrimit të parandalimit të konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Në mënyrë që një anëtar i Parlamentit të jetë në gjendje të kryejë detyrat e tij si përfaqësues i popullit, vetë Kushtetuta ka përcaktuar jo vetëm disa të drejta, por edhe disa detyrime për të. Qëllimi i rregullimit kushtetues të nenit 70 të Kushtetutës është të sigurojë ushtrimin e mandatit të lirë nga ana e deputetit, për të garantuar që ai do të veprojë në interes të popullit dhe jo në interesin e tij personal ose të një grupi të caktuar.
Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij.
Me qëllim evitimin e papajtueshmërisë me detyrën, deputeti ka detyrimin të marrë masat e duhura për përfaqësimin sa më të mirë të zgjedhësve dhe ushtrimin e mandatit të tij konform detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, çka duhet të fillojë që në periudhën parazgjedhore (përfshi këtu edhe fushatën zgjedhore). Përgatitja për marrjen e një funksioni publik përfshin, përpara detyrimeve ligjore, edhe plotësimin e detyrimeve morale dhe shoqërore kundrejt publikut. Deputeti duhet të marrë të gjitha masat për të shmangur çdo situatë papajtueshmërie apo konflikti interesi që mund të lindë në momentin e marrjes (fillimit) së mandatit parlamentar dhe gjatë gjithë kohës që ai vazhdon. Veprimet konkrete për këtë qëllim nevojiten të merren më së voni deri në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, kohë në të cilën mundësohet siguria dhe qartësia te deputeti për të ardhurat e tij financiare.
Gjykata, bazuar në nenin 70/3 të Kushtetutës, vlerëson se shmangia e fitimeve/të ardhurave nga buxheti i shtetit është një detyrim që buron drejtpërdrejt nga kjo dispozitë, e cila ndalon shprehimisht jo vetëm kryerjen e veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose pushtetit vendor, por edhe që “të fitohen pasuri të këtyre”, pavarësisht mënyrës se si fitohen ato. Në vlerësimin e Gjykatës neni 70/3 i Kushtetutës e lidh papajtueshmërinë me funksionin e deputetit me momentin e ushtrimit të veprimtarisë konkrete fitimprurëse apo ardhjes së të ardhurave nga kjo veprimtari, e cila nuk duhet të përkojë me kohën gjatë së cilës deputeti ushtron funksionin e të zgjedhurit si përfaqësues i popullit.
……pavarësisht se vihet në lëvizje në bazë të nenit 70/3 të Kushtetutës, kjo dispozitë nuk mund të lexohet e shkëputur nga përmbajtja e nenit 70 në tërësinë e tij, i cili edhe pse në thelb ka për qëllim shmangien e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, për sa u takon rregullave, mjeteve, mënyrave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve të konfliktit të interesit, referon te ligji nr.9367/2005. Përveç ndalimeve të sipërcituara, ky ligj ka parashikuar edhe mënyrat bazë të trajtimit dhe të zgjidhjes së konfliktit të interesit. Eshtë detyrë e deputetit, që në përputhje me të gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor në fuqi, të marrin masat e duhura për të plotësuar detyrimet që rrjedhin me rastin e marrjes së mandatit parlamentar.
Gjykata vlerëson se neni 70/3 i Kushtetutës dhe jurisprudenca kushtetuese nuk kanë bërë dallim në këtë drejtim midis personit juridik dhe atij fizik dhe midis veprimtarisë së kryer veçmas nga këto subjekte të së drejtës, si dhe nuk e kanë lidhur ndalimin me përfitimin drejtpërdrejt të deputetit nga veprimtaria e kryer.”.
III. ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE DHE RRETHANAVE TË SKANDALIT
Parashikimi nga kushtetutëbërësi i rasteve të papajtueshmërive që lidhen me mandatin e deputetit përbën një garanci për respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve, pavarësisë në ushtrimin e mandatit parlamentar, si dhe evitimin e konflikteve të interesave. Ndërsa sipas pikës 2 të nenit 70 Kushtetuta jonë ia ka deleguar ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë, në pikën 3 të kësaj dispozite ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutëbërësi, i cili ka pasur si qëllim eliminimin e plotë të shkaqeve për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues.
Ajo që parashikohet e qartë në neni 70/2 i Kushtetutës është ndalimi i ushtrimit të funksioneve të tjera nga deputeti menjehere pasi merr mandatin e deputetit. Neni 70/3 e konsideron të papajtueshme me funksionin e deputetit ushtrimin e “veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndalimet e tjera parashikohen me ligje të posaçme.
Nëse deputeti përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte dhe të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cenohej. Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe në fund të fundit parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij.
Neni 70/3 sic shprehet edhe Gjykata Kushtetutese në jurisprudencën e saj, nuk mund të lexohet e shkëputur nga përmbajtja e nenit 70 në tërësinë e tij, i cili edhe pse në thelb ka për qëllim shmangien e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, për sa u takon rregullave, mjeteve, mënyrave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve të konfliktit të interesit, referon te ligji nr.9367/2005.
Ligji nr. 9367/2005 parashikon shprehimisht në nenin 35 të tij se “në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur (që sipas ligjit është bashkëshorti), ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit. Për pasojë, në kuptim të ligjit dhe për efekt të zbatimit të ndalimit kushtetues/ligjor, shoqëria tregtare AG. TCC shpk konsiderohet në pronësi të vetë ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka. Për pasojë, përfitimet nga pasuria e shtetit, që burojnë nga vendimi nr. 3/5, datë 29/03/2021 “Për miratimin e statusit “investim/investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “DREAMADES LUXURY SUITES”, janë përfitime të ministres dhe deputetes znj. Olta Xhacka.
Nga dokumentacioni bashkëlidhur rezulton e provuar se shoqëria tregtare AG. TCC shpk ka përfituar të drejën për të kryer veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit dhe pushtetit vendor, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve në fushën e turizimit, në kohën në të cilën ka ushtruar mandatin e deputetit. Ky fakt bie ndesh me ndalimin kushtetues të parashikuar nga neni 70/2-3 i Kushtetutës dhe është tërësisht i mjaftueshëm për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit për znj. Olta Xhacka.
Sipas ligjit Nr.8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, i ndryshuar, i përkasin shtetit dhe bëjnë pjesë në pronat e paluajtshme publike: vija bregdetare për të hyrë në tokë. Për pasojë, lejimi i përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Dreamades Luxury Suites”, Gjilekë, Himarë, nga ana e shoqërisë tregtare AG. TCC shpk nënkupton që ajo do të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit. Për më tepër, kjo veprimtari fitimprurëse, për shkak të përfitimit të trajtimit preferencial sipas ligjit për investimet strategjike, përfiton edhe reduktim të vlerës së TVSH-së, që janë të ardhura të Buxhetit të Shtetit.
Nga ana tjetër, paragrafi 2 i nenit 70 të Kushtetutës parashikon shprehimisht se: “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.”. Një nga ligjet që parashikon edhe rastet e papajtueshmërisë me mandatit e deputetit është edhe ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Neni 28 i këtij ligji parashikon shprehimisht se: “Deputeti: a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër; c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.”. I njëjti ndalim edhe më i rreptë vepron edhe për zyrtarin që ushtron funksionin kushtetues të ministrit.
Zotërimi i aksioneve në shoqërinë AG. TCC shpk, duke mos respektuar ndalimet ligjore, përbën shkelje flagrante të ndalimit të parashikuar nga shkronja “a” e nenit 28 të ligjit nr. 9367/2005. Përsa më lart, në rastin konkret vërtetohen kushtet e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, të parashikuara me ligj, edhe në kuptim të nenit 70/2 të Kushtetutës.
Në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës mandati i saj parlamentar konsiderohet i fituar në momentin e shpalljes deputet nga KQZ-ja në vitet 2013, 2017 dhe 2021. Deputetja znj. Olta Xhacka kishte detyrimin që në momentin e shpalljes së saj fituese nga KQZ-ja të shmangte çdo rast të papajtueshmërisë, duke përfshirë ndalimin e përfitimit të fondeve publike nga shoqëria tregtare, por edhe papajtueshmërinë e parashikuar në dispozitat e ligjit nr. 9367/2005. Deputeti ka përgjegjësi individuale për ushtrimin e detyrës së tij dhe nuk mund të justifikojë veprimet e tij jokushtetuese me situata të tjera jokushtetuese apo joligjore. Në vendimin nr. 44/2011, Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “Deputeti ka detyrimin që në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, pavarësisht se kur bën betimin, të sillet si deputet”. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin e deputetes znj. Olta Xhacka.
IV. KONKLUZION
Bazuar në analizën në tërësi të dispozitave kushtetuese dhe ligjore relevante, fakteve dhe rrethanave të çështjes, arrijmë në përfundimin se deputetja znj. Olta Xhacka është në kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara nga neni 70/2-3 i Kushtetutës dhe dispozitat respektive të sipërcituara të ligjit nr. 9367/2005.
Në këto kushte, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhej me nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës, dhe nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, kërkon mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili të shqyrtojë papajtueshmërinë e mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka, si dhe i kërkon Kuvendit të vendos për dërgimin e cështjes për shqyrtim në Gjykatën Kushtetese.
Në këtë rast, sjellim në vëmendjen tuaj qëndrimin si më poshtë të mbajtur me vendimin nr. 7/2016 të Gjykatës Kushtetuese:
“27. Gjykata në vlerësimin e kësaj çështjeje niset nga premisa që një normë duhet të interpretohet në kuptimin që lejon zbatimin e saj, jo në atë që e përjashton këtë zbatim (actus interpretandus est potius ut valeat quam ut pereat). Sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës, për çdo shkelje të pikës 3 të këtij neni Gjykata vihet në lëvizje nga Kuvendi për ushtrimin e kompetencës së saj për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Në kuptim të kësaj dispozite kushtetutëbërësi ka parashikuar ndërhyrjen e Gjykatës vetëm për konstatimin e rasteve të papajtueshmërisë të parashikuara në pikën 3 të nenit 70. Gjykata, bazuar në interpretimin literal, sistematik dhe teleologjik të kësaj dispozite, vlerëson se përfshirja e saj në këtë proces është bërë për të eliminuar një vendimmarrje me natyrë politike nga ana e Kuvendit. Vënia në lëvizje e gjykimit kushtetues vetëm për rastin e verifikimit të papajtueshmërisë sipas pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, konsiderohet një instrument kontrolli ndaj pushtetit ligjvënës që kërkon gjykim, gjë që del jashtë tagrave dhe mundësive të Kuvendit. Nëse do t`i jepej një interpretim i ndryshëm kësaj dispozite, ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese do të ishte formale, çka do e bënte atë të panevojshme, dhe vendimmarrja e Kuvendit do të bëhej e pakontrollueshme nga pikëpamja e kushtetutshmërisë.
28. Gjykata thekson se në një demokraci parlamentare ekziston një balancë ndërmjet shumicës dhe pakicës, çka krijon një formë ndërveprimi që siguron një qeverisje efektive, demokratike dhe legjitime. Ekzistenca e një pakice parlamentare brenda dhe jashtë Parlamentit është një element i rëndësishëm i një demokracie mirëfunksionale. Duke mbikëqyrur dhe kritikuar punën e shumicës, pakica synon të sigurojë transparencën e vendimmarrjes publike dhe eficiencën në menaxhimin e punëve publike, duke siguruar në këtë mënyrë mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e keqpërdorimit të pushtetit. Edhe pse brenda Parlamentit si rregull pakica nuk ka kompetencën për të marrë vendime, funksioni i saj është, mes të tjerash, përmirësimi i procedurës së vendimmarrjes politike, kontrolli i qeverisjes, si dhe rritja e stabilitetit, legjitimitetit dhe përgjegjësisë e transparencës në proceset politike. Ekzistenca e rregullimeve kushtetuese e ligjore në të tilla raste është një mënyrë e institucionalizimit të rolit të pakicës parlamentare. Një demokraci kushtetuese, ku ushtrimi i pushteteve rregullohet përmes procedurave të mbrojtura kushtetutshmërisht, respektimi i të cilave nuk lihet në diskrecionin e shumicës, është garancia më e mirë për ekzistencën e një pakice efektive politike.
29. Në kuptim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se kushtetutëbërësi e ka ngritur në nivel kushtetues të drejtën e pakicës parlamentare (në këtë rast një e dhjeta e deputetëve) për të kërkuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si shprehje të ushtrimit të pushtetit të saj kontrollues ndaj shumicës parlamentare. Duke i dhënë asaj një mbrojtje kushtetuese kushtetutëbërësi ka evituar ndërhyrjen e shumicës në ushtrimin e kësaj të drejte, si dhe diskrecionin e shumicës në interpretimin dhe vlerësimin e saj rast pas rasti. Megjithatë, Gjykata vlerëson se përmbajtja e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës nuk e ka zhveshur tërësisht Kuvendin nga vendimmarrja, por i ka kufizuar hapësirën e vlerësimit, duke ia njohur atë vetëm për verifikimin e kritereve juridiko-formale për inicimin e procesit. Në të tilla raste Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e Rregullores së tij.
30. Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t`u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla. Vendimmarrja e Kuvendit në raste të tilla është në funksion të legjitimimit të këtij organi si një nga subjektet që mund të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, ndonëse verifikimi dhe vlerësimi i kritereve juridiko-formale të kërkesave të kësaj natyre është një çështje që i përket Kuvendit, vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese. Një përfundim i tillë gjen mbështetje edhe në jurisprudencën e kësaj Gjykate, e cila ka theksuar edhe më parë se është organi i vetëm që ka kompetencën të vendosë nëse veprimet konkrete të një anëtari të Parlamentit, kundër të cilit është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim me Kushtetutën (shih vendimet nr.29, datë 30.06.2011; nr.44, datë 07.10.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
31. Gjykata, në ndryshim nga sa pretendojnë subjektet e interesuara, vlerëson se edhe pse në përmbajtjen e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës nuk është përdorur termi “është i detyruar”, kjo nuk nënkupton se vlerësimi në këtë rast është në kompetencë të Kuvendit, por se vënia në lëvizje e Gjykatës kërkon një vendimmarrje të këtij organi, e cila është produkt i seancës plenare, pas respektimit të procedurave parlamentare. Nëse do të pranohej një pushtet i tillë i pakufizuar i Kuvendit, atëherë parashikimi kushtetues do të zhvishej nga qëllimi i tij, çka do të përbënte një abuzim me pushtetin e shumicës dhe do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve. Institucionalizimi i pushtetit të pakicës parlamentare, i materializuar në të drejtën për të kërkuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, është bërë nga kushtetutëbërësi me qëllim shmangien e qëndrimeve politike nga ana e shumicës parlamentare. Në rast se do të pranohej një interpretim i ndryshëm i kësaj norme, atëherë pakica parlamentare do të diskriminohej në raport me shumicën parlamentare, për sa kohë që ushtrimi i së drejtës së saj kushtetuese, i garantuar në pikën 4 të nenit 70 të Kushtetutës, do të ishte në diskrecionin e kësaj të fundit.
32. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi.”.
Me bindjen se Kuvendi do të zbatojë në këtë rast nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës, si dhe jurisprudencën kushtetuese të vendosur me vendimet nr. 44/2011, nr. 7/2016 dhe nr. 32/2016 të Gjykatës Kushtetuese, mbetemi në pritje të reagimit tuaj të shpejtë dhe pa vonesa të metejshme.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE